Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
05 tetor 2025
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se shpreson të shpallë lirimin e pengjeve që mbahen në Gaza “në ditët në vijim”.
Në një deklaratë televizive, ai tha gjithashtu se “Hamasi do të çarmatoset dhe Gaza do të çmilitarizohet – ose në rrugën e lehtë ose të vështirë, por do të arrihet”.
Komentet erdhën pasi Hamasi lëshoi një deklaratë të premten në të cilën ra dakord të lironte pengjet sipas një plani paqeje të SHBA-së, por nuk përmendi çarmatimin dhe kërkoi negociata për çështje të tjera.
Hamasi tha të shtunën se Izraeli po vazhdonte të kryente “masakra”, pasi sulmet goditën Gazën në mëngjes dhe kërkoi presion global mbi Izraelin.
Bisedimet indirekte të armëpushimit midis palëve do të fillojnë të hënën në Egjipt.
Presidenti SHBA-së Donald Trump tha se ai “nuk do të toleronte vonesa” nga Hamasi për të përfunduar një marrëveshje.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump tha: “Hamasi duhet të lëvizë shpejt, ose përndryshe të gjitha bastet do të anulohen… Le ta bëjmë këtë, SHPEJT”.
Ai më vonë postoi se Izraeli “ka rënë dakord për vijën fillestare të tërheqjes”, duke u referuar në linja të ndryshme të tërheqjes së trupave izraelite të publikuara së bashku me planin e SHBA.
Plani prej 20 pikash propozon një fund të menjëhershëm të luftimeve dhe lirimin e 20 pengjeve të gjallë izraelitë të mbajtur nga Hamasi – si dhe eshtrat e atyre që mendohet të jenë të vdekur – në këmbim të qindra banorëve të Gazës të ndaluar.
Në një postim në X, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se kishin lëshuar një urdhër “për të avancuar gatishmërinë për zbatimin e fazës së parë të planit të Trump për lirimin e pengjeve”. Ai shtoi se siguria e trupave të IDF ishte “një prioritet kryesor.

















