Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
12 nentor 2025
Mbrojtja, industria dhe emigrantët, janë tre çështjet kryesore në tryezën e samitit Itali-Shqipëri, që zhvillohet nesër, ku për herë të parë në Romë do të bëhen bashkë qeveritë e dy vendeve fqinje, me në krye kryeministrat Edi Rama dhe Giorgia Meloni.
Qeveritë e Italisë dhe Shqipërisë do të mblidhen nesër në Romë në një samit dypalësh historik, me në krye kryeministrat Giorgia Meloni dhe Edi Rama. Takimi, i pari i këtij niveli ndërqeveritar mes dy vendeve, pritet të fokusohet në tri çështje kryesore: mbrojtjen, industrinë dhe menaxhimin e emigracionit.
Sipas mediave italiane, samiti zhvillohet në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, teksa Tirana ndodhet në “listën e pritjes” për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe po ndërmerr hapa për të mbushur boshllëqet strukturore.
Mbledhja e përbashkët në Romë do të shërbejë për të rishikuar bashkëpunimin ekzistues dhe për të rënë dakord mbi nisma të reja që synojnë forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve. Fushat kyçe të diskutimit përfshijnë mbrojtjen dhe sigurinë, energjinë, migracionin, mbrojtjen civile, shëndetësinë, mjedisin, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor, si dhe trajnimin profesional në këto sektorë.
Në fushën e mbrojtjes, Italia pritet të ofrojë pajisje dhe teknologji të avancuar, ndërsa në Shqipëri do të vendoset infrastrukturë detare për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e anijeve.
Sa i përket energjisë, po synohet zgjerimi i bashkëpunimit në kuadër të marrëveshjes trepalëshe Itali–Shqipëri–Emiratet e Bashkuara Arabe, të nënshkruar më 15 janar 2025 në Abu Dhabi. Projekti parashikon prodhimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe ndërtimin e një linje të nëndetshme për transmetimin e energjisë drejt Italisë.
Një tjetër pikë e rëndësishme e samitit është migracioni. Mediat italiane raportojnë se do të krijohet një grup i përbashkët pune për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër emigracionit të parregullt dhe për rritjen e kapaciteteve të patrullimit detar të Shqipërisë.
Axhenda e samitit do të përfshijë gjithashtu tema që lidhen me zhvillimin ekonomik, infrastrukturën dhe kujdesin shëndetësor, duke synuar një partneritet më të gjerë dhe më të qëndrueshëm mes Romës dhe Tiranës.

















