Në Zvicër nis gjyqi ndaj imamit biznesmen nga Kosova! Dyshohet për mashtrim, pastrim parash dhe evazion fiskal

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

15 janar 2026

Dietikon të Zvicrës ka nisur një proces gjyqësor ndaj një imami dhe biznesmeni kosovar 57-vjeçar nga kantoni Aargau, i cili akuzohet për përfshirje në një sërë veprash të rënda ekonomike.

Sipas raportimit të 20min.ch, aktakuza, e përbërë nga mbi 200 faqe, përfshin 20 pika akuze, përfshirë mashtrim, shpërdorim të detyrës, pastrim parash, evazion fiskal dhe falsifikim dokumentesh. Prokuroria vlerëson se dëmi financiar i shkaktuar arrin në disa milionë franga zvicerane.

I akuzuari kryesor nuk është paraqitur në seancën e parë gjyqësore, duke njoftuar se ndodhet në një klinikë psikiatrike dhe se aktualisht është i paaftë për t’u marrë në pyetje. Për këtë arsye, gjykata ka urdhëruar kryerjen e një ekspertize mjekësore zyrtare.

Në këtë çështje penale janë të përfshirë gjithsej tetë persona: i akuzuari kryesor, ish-bashkëshortja e tij 51-vjeçare, vajza 27-vjeçare, tre djem të moshës 27 dhe 35 vjeç, si dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë.

Sipas prokurorisë, i pandehuri, i cili në rrjetet sociale prezantohet si imam i devotshëm me rreth 4.500 ndjekës, dyshohet se ka ndërtuar një skemë mashtrimi përmes kompanive ndërtimore dhe firmave fiktive, duke përfituar kredi bankare për përdorim personal dhe duke futur qëllimisht disa kompani në falimentim.

Po ashtu, ai akuzohet se ka deklaruar paga fiktive për anëtarë të familjes, me qëllim sigurimin e lejeve të qëndrimit në Zvicër.

Prokuroria ka kërkuar për të një dënim prej 7.5 vitesh burg, si dhe dëbim nga Zvicra për 15 vjet, ndërsa për të pandehurit e tjerë parashikohen masa ndëshkuese më të lehta.

Vendimi përfundimtar i gjykatës pritet të shpallet në fund të muajit janar.

Scroll to Top