Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
24 shtator 2025
Në trafikun e ngarkuar të New Yorkut, jo vetëm presidenti francez, Emmanuel Macron u përball me vështirësi në lëvizje, por edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, u bllokua në rrugët e qytetit.
Pamjet e eskortës së presidentit turk, e cila ndodhej në pritje për të kaluar përmes trafikut të dendur, janë filmuar nga kalimtarë të rastësishëm.
Në video shihen veturat luksoze të eskortës dhe forcat e sigurisë që përpiqen të ruajnë rendin, ndërsa automjetet nuk mund të lëvizin përpara për shkak të bllokimit të rrugës.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, lideri francez ishte bllokuar në qytet pasi policia kishte ‘pastruar’ rrugët shkaku i eskortës së veturave të presidentit amerikan, Donald Trump.
Këtë të fundit e kishte telefonuar Macron dhe i kishte kërkuar ndihmë për të lëvizur gjersa ishte parë teksa komunikonte edhe një policë.
Ngjarja tregon qartë se, pavarësisht rëndësisë politike apo sigurisë së lartë, liderët botërorë nuk janë imun ndaj kaosit të përditshëm urban të një metropoli si New Yorku, veçanërisht gjatë mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kur prania e delegacioneve nga e gjithë bota e rëndon ndjeshëm qarkullimin rrugor.

















