Në prag të largimit, Dumani lë ‘bombën’, kërkon arrestimin e Ballukut

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

17 dhjetor 2025

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka drejtuar Kuvendit të Shqipërisë një kërkesë zyrtare për heqjen e imunitetit parlamentar të deputetes dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, me qëllim autorizimin e arrestimit apo kufizimit të lirisë së saj.

Shkresa, e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Elda Menga, mban firmën e kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili pritet të përfundojë mandatin më 19 dhjetor 2025. Kërkesa është dorëzuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila të premten e riktheu Ballukun në detyrë.

Në dokument, SPAK kërkon zëvendësimin e masave aktuale të sigurimit personal – ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe pezullimi nga ushtrimi i funksioneve publike – me masa më të rënda, përkatësisht arrest në burg ose arrest shtëpie, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025.

Sipas shkresës, kërkesa mbështetet në dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale dhe shoqërohet me një relacion të arsyetuar, prova mbështetëse, si dhe urdhrin për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve hetimore, të datës 16 dhjetor 2025.

SPAK i ka kërkuar Kuvendit bashkëpunim për procedimin e mëtejshëm ligjor, duke theksuar se vendimmarrja e parlamentit është thelbësore për vijimin e hetimeve.

Scroll to Top