Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
11 mars 2025
Djali i madh i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, Donald Trump Jr. zhvillon një vizitë në Serbi, ku do të ketë një takim edhe me presidentin Aleksandër Vuçiç.
Ky i fundit, teksa i është drejtuar me një videomesazh qytetarëve ka dhënë edhe detaje për temat e diskutimit, ku përmend ekonominë, sfidat, por edhe sukseset e Serbisë.
“Pas pak minutash do të pres Donald Trump Jr., do të flasim për ekonominë, sfidat e reja, të mëdha, do të thosha, por edhe sukseset e Serbisë në të ardhmen. Dhe ky është një lajm i madh dhe i rëndësishëm për vendin tonë. Rroftë Serbia!” – tha presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Kujtojmë Donald Trump Jr., vizitoi Beogradin edhe gjatë fushatës presidenciale të babait të tij në fund të shtatorit të vitit të kaluar.
Në atë kohë, në një hotel në qendër të Beogradit, ai shoqërohej nga biznesmenë si edhe përfaqësues të elitës së biznesit nga Rumania, ku më pas udhëtoi.
Herën e fundit që Donald Trump Jr., ndodhej në Beograd, në 24 shtator të vitit të kaluar në fokus ishin çështje biznesi, investimet dhe atraktiviteti i mjedisit të biznesit në rajon.
Në takime u diskutua lidhur me atë se “cilat janë ngjashmëritë dhe dallimet e investimit në rajonin e Evropës Juglindore dhe në SHBA, cilat janë avantazhet e këtij rajoni dhe si të realizohet potenciali i plotë në bashkëpunimin e ndërsjellë biznesor”.
Donald Trump Jr., është nënkryetar ekzekutiv në Trump Organization.
Në këtë kompani përfshihen qindra firma dhe partneritete që zotërojnë ose menaxhojnë ndërtesa biznesi, hotele, kulla rezidenciale, klube golfi, të drejta të markës, marrëveshje të licencimit dhe pasuri të tjera në mbarë botën.