Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
05 shkurt 2026
Amir Rrahmani pritet të jetë në dispozicion për ndeshjen e së shtunës, kur Napoli do të udhëtojë për të sfiduar Genoa-n në kuadër të xhiros së 24-t të Serie A.
Mediat italiane kanë theksuar vazhdimisht rëndësinë e mbrojtësit për skuadrën e drejtuar nga trajneri Antonio Conte. Portali “calcionapoli24”, i afërt me klubin, ka publikuar statistika interesante që tregojnë ndryshimin e madh të performancës së Napolit me dhe pa Rrahmanin në fushë.
Në katër ndeshjet e fundit, ku Amir mungoi, Napoli regjistroi një barazim me Copenhagenin, një fitore ndaj Fiorentinës dhe humbje ndaj Juventusit dhe Chelsea-t, duke pësuar gjithsej tetë gola. Në total, pa Rrahmanin, Napoli ka marrë 26 gola në 15 ndeshje dhe ka regjistruar gjashtë humbje. Ndërkohë, me të në fushë, ekipi ka pësuar vetëm 11 gola në 19 ndeshje.
Rrahmani, dy herë kampion i Italisë me Napolin, këtë sezon ka hasur disa probleme muskulore që e kanë mbajtur jashtë fushës, duke përfshirë edhe një lëndim të ngjashëm gjatë ndeshjes së Kosovës ndaj Zvicrës në shtator.
Prania e tij pritet të sjellë stabilitet dhe të ndihmojë Napolin të rikthehet te rezultatet pozitive në Serie A.

















