Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
24 qershor 2025
Pas zhvillimeve të fundit në luftën Izrael – Iran, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë u ka bërë thirrje shqiptarëve të cilët ndodhen në zonat përreth të kenë kujdes të shtuar dhe komunikim të vazhdueshëm me autoritetet.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme këshillon qytetarët shqiptarë që ndodhen aktualisht në vendet e Gjirit Persik, të ndjekin njoftimet e autoriteteve vendase, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore”, thuhet në postimin në Facebook.
Ata kanë shpërndarë edhe numrat kontaktues dhe e-mail adresat e ambasadave të Katarit, Kuvajtit, Arabi Saudite dhe të Emirateve të Bashkuara.
Ndryshe sot Pentagoni ka konfirmuar se baza amerikane ajrore Al Udeid në Katar është sulmuar nga raketa balistike me rreze të shkurtër dhe mesme, të nisura nga Irani.
Sulmi duket se është kundërpërgjigje pas sulmeve ajrore amerikane kundër tri objekteve bërthamore të Iranit – Fordo, Natanz dhe Isfahan më 22 qershor.