Moti i keq përfshin Shqipërinë, Ministria e Mbrojtjes njofton gatishmëri totale të strukturave

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

18 nentor 2025

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se strukturat e saj dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për t’u përballur me situatat e krijuara nga moti i keq, ndërsa vijon koordinimi i pandërprerë me autoritetet vendore në të gjithë vendin.

Në qarkun e Shkodrës, reshjet e dendura të së enjtes pasdite shkaktuan dëmtime në segmentin rrugor Breg Lumi–Theth, ku 9 persona dhe 5 automjete mbetën të bllokuar. Falë ndërhyrjes së shpejtë të bashkisë, Policisë së Shtetit dhe forcave të Forcave të Armatosura, të gjithë qytetarët u evakuuan me sukses. Rruga vijon të mbetet e bllokuar, ndërsa 10 efektivë të FA po punojnë për pastrimin e inertëve.

Probleme janë raportuar edhe në Fushë-Arrëz, ku era e fortë ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Në qarkun e Lezhës, një pemë e rrëzuar në aksin Lezhë–Shëngjin ka dëmtuar linjat e energjisë, ndërsa në rrugën Lezhë–Balldren ka prezencë inertesh, që po pastrohen nga forcat operacionale.

Në qarqet e tjera të vendit nuk janë raportuar situata problematike.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, 24 orët e ardhshme do të shoqërohen me reshje të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar. Në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër priten shtrëngata më intensive, ndërsa nga pasditja deri në orët e para të mëngjesit reshje të shumta dhe shkarkesa elektrike priten në Lezhë, Durrës dhe Tiranë. Po ashtu, parashikohet mjegull dhe shikueshmëri e reduktuar në zonat luginore.

Scroll to Top