Mond Mëhalla me precedent penal në fushën e narkotikëve, u qëllua kur u fut në makinë, ka edhe të arrestuar

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

01 dhejtor 2025

Një ngjarje e rëndë ka tronditur vendin mbrëmjen e kësaj të diele.

Pas disa të shtënave me armë zjarri në Elbasan, ka mbetur i vdekur biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla.

Ai sapo kishte dalë nga zyra e tij dhe u fut në makinë, kur ka marrë tre plumba me pistoletë.

Automjeti i përdorur nga autorët e ekzekutimit dyshohet të ketë qenë një Audi i zi, i cili është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes në aksin Elbasan–Librazhd.

Sipas burimeve nga gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, viktima 43-vjeçare kishte precedent penal në fushën e narkotikëve. Në pamjet e siguruara nga Top Channel, shihet momenti kur një person shoqërohet me forcë në një automjet policie. Ende nuk është konfirmuar nëse ai është autor, i dyshuar apo person që po merret në pyetje. Po ashtu, në video duken edhe familjarët e viktimës teksa mbërrijnë të tronditur në vendngjarje.

Policia publikoi një njoftim zyrtar ku bëhet me dije se rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu”, brenda një automjeti të parkuar, është gjetur i vrarë me armë zjarri shtetasi M. M., alias E. H., 43 vjeç. Forcat e rendit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli në daljet e qytetit dhe po kryejnë verifikime në zona të ndryshme për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, që po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor.

Lidhur me vrasjen, ka reaguar edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili në rrjetet sociale e cilësoi këtë krim si tregues të “degradimit të rendit dhe sigurisë publike”. Ai akuzoi qeverinë se ka fuqizuar bandat dhe krimin e organizuar, duke ulur autoritetin e shtetit dhe besimin e qytetarëve tek ligji. Sipas tij, situata aktuale “kërkon reagim të menjëhershëm politik” për t’i rikthyer vendit sigurinë dhe rendin.

Scroll to Top