Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
25 shkurt 2025
Florent Hadergjonaj, mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës dhe i skuadrës turke Alanyaspor, është duke kaluar nëpër një formë të shkëlqyer.
Mbrojtësi i djathtë është njohur gjithmonë për lojë të fortë në defensivë dhe asistimet e tij, por ai këtë edicion është shndërruar edhe në një golashënues për skuadrën e tij Alanyaspor.
Në fakt Florenti ka disa vite që është bërë një specialist i ekzekutimit të penalltive, që nga koha sa ishte te Kasimpasa dhe këtë e ka vazhduar edhe te Alanyaspor.
30-vjeçari ka shënuar tre gola në kampionat dhe ka dhënë dy asistime, derisa ka edhe një gol tjetër në Kupën e Turqisë dhe të gjithë nga penalltia.
Hadergjonaj ka treguar për ekzekutimin e penalltive, objektivat me klubin, të ardhmen e tij ku nuk i mungojnë ofertat dhe Kombëtaren e Kosovës.

“Besoj se shumë mendojnë se të shënosh penallti është e lehtë, por në realitet është shumë më i vështirë sesa duket. Ka të bëjë shumë me psikologjinë: a je në gjendje të fokusohesh në momentin e duhur apo jo? Siç e thashë më parë, ka situata kur loja varet nga ti”, vazhdon tutje Hadergjonaj.
Hadergjonaj ka gjuajtur 11 penallti deri më tani, derisa në 10 prej tyre ka qenë i saktë dhe vetëm një e ka humbur.
Për mbrojtësin dardan kjo është forma më e mirë që ka kaluar në karrierë, pasi ai më parë ka luajtur për Young Boys Bern në Superligën e Zvicrës, Ingolstadt në Bundesliga dhe Huddersfield në Ligën Premier para se të transferohet në futbollin turk ku fillimisht ishte pjesë e Kasimpasas dhe tani e Alanyaspor.

















