Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
13 qershor 2025
Në ambientet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në Mitrovicën e Veriut është mbajtur takimi i parë i Bordit të Përbashkët ndërmjet Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, i cili synon fuqizimin e bashkëpunimit ndërkomunal.
Ministri Elbert Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se themelimi i këtij bordi është në përputhje me Ligjin për kufijtë administrativë të komunave, i cili parasheh bashkëpunim të ngushtë ndërmjet komunave përmes një strukture të përbashkët funksionale.
“Ky bord vendos një model të ri të bashkëpunimit institucional që ka për qëllim përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve. Përmes koordinimit në fusha si infrastruktura, mbrojtja e mjedisit, zhvillimi ekonomik dhe ofrimi i shërbimeve komunale, bordi ofron një mekanizëm konkret për realizimin e projekteve të përbashkëta, ndërtimin e besimit dhe rritjen e efikasitetit. Ky është një shembull i qeverisjes së mençur dhe përkushtimit ndaj interesit të qytetarëve, pa dallime”, ka shkruar Krasniqi.
Bordi i ri do të funksionojë me pjesëmarrje të barabartë nga të dy komunat dhe do të jetë nën mbikëqyrjen e përfaqësuesit të Zyrës së Kryeministrit. Ky hap shënon një përpjekje konkrete drejt kapërcimit të ndarjeve të së kaluarës dhe ndërtimit të një të ardhmeje me më shumë bashkëpunim institucional.