681622

Miratohet Projektligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Lojërat Mesdhetare, të cilat do të organizohen në Kosovë në vitin 2030. Ky projektligj parasheh që Lojërat Mesdhetare të shpallen si çështje me rëndësi të veçantë për shtetin e Kosovës.

Zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani ka theksuar se ky projektligj vjen si rezultat i një analize të thellë ligjore vendore dhe ndërkombëtare dhe se përmes tij themelohet edhe Komiteti Organizativ i këtyre lojërave.

“Hartimi i këtij projektligji është rezultat i një procesi të thellë të analizës duke përfshirë shqyrtimin e kornizës ligjore vendore dhe praktikave ndërkombëtare të organizimit të ngjarjeve multisportive të ngjashme. Me miratimin e këtij projektligji Lojërat Mesdhetare shpallen çështje me interes të veçantë për Republikën e Kosovës duke reflektuar rëndësinë strategjike që ky projekt ka për vendin tonë. Ky ligj themelon Komitetin Organizativ të Lojërave Mesdhetare 2030, një strukturë e pavarur me statusin e fondacionit të qrganizatës joqeveritare përgjegjëse për udhëheqjen e këtij aktivitet”, padeklaruar Osmani.

Kryesues i këtij komiteti do të jetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se përmes organizimit të kësaj ngjarjeje, Kosova do të ketë infrastrukturë moderne sportive por edhe do të promovohet në arenën ndërkombëtare.

“Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 janë ngjarja më e madhe sportive në vend e rajon dhe përmes investimeve do të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës sportive, kurse përmes mikpritjes do të kontribuojë në përfaqësimin dhe promovimin ndërkombëtar të republikës sonë. Marrë parasysh rëndësinë e jashtëzakonshme të kësaj ngjarjeje, projektligji për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 parasheh ta shpallë organizimin e tyre si çështje me interes të lartë publik, duke i vendosur ato në qendër të vizionit tonë për sportin dhe zhvillimin shtetëror. Projektligji gjithashtu parasheh themelimin e Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare që do të udhëheqë me projektin”, ka theksuar Kurti.

Të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina e fitoi në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare të zhvilluar në Greqi, në shtatorin e vitit të kaluar.

Scroll to Top