Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, i është drejtuar me një mesazh qytetarëve për miratimin e buxhetit 2025, që po diskutohet edhe në seancat parlamentare në Kuvend.
Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
Spiropali thotë se buxheti do të shqyrtohet e do të miratohet nëpërmjet një procesi të hapur, transparent e gjithëpërfshirës, me kontributin e të gjithë aktorëve politikë e shoqërorë.
Ajo thekson se buxheti i vitit 2025 garanton trendin pozitiv të rritjes ekonomike të qëndrueshme në nivelin 3.9 përqind, rritjen e të ardhurave buxhetore e të ardhurave tatimore dhe uljen e borxhit publik.
Nga miratimi i buxhetit shkruan Spiropali, do të rriten financimet për të gjithë sektorët, do rritet paga e të gjithë punonjësve të administratës vendore dhe do të mbështesë sektorin privat për garantimin e rritjes së pagave e përfitimeve edhe për punonjësit e sektorit privat, si dhe rritjen e pensioneve.
Mesazhi i Elisa Spiropalit:
“Të dashur qytetarë të Shqipërisë, Këto ditë të rëndësishme për Kuvendin dhe vendin tonë, dëshiroj t’ju drejtohem me këtë video-mesazh të shkurtër, në prag të shqyrtimit të projektligjit për Buxhetin e vitit 2025, të ndaj me ju disa tregues të veprimtarisë intensive të komisioneve të përhershme dhe të posaçme dhe rëndësinë e konsultimit parlamentar me qytetarët, publikun, ekspertët, grupet e interesit dhe median. Për të diskutuar si duhet të bashkëpunojmë më mirë për të ndërtuar një Shqipëri më të fortë, më të begatë, më të drejtë dhe për të arritur objektivin tonë strategjik kombëtar për Shqipërinë në BE në 2030.
I.
Ligji i Buxhetit të vitit 2025 nuk është thjesht një ligj financiar. Në të jetësohet vizioni ynë i qartë për rrugën që do të ndjekë Shqipëria vitin e ardhshëm, cilat do të jenë prioritetet tona, ku do të përqendrojmë investimet publike, si do të përdoren burimet kombëtare financiare e njerëzore, për të përmirësuar mirëqenien e çdo komuniteti, çdo familjeje, çdo qytetari. Buxheti është hartuar, do të shqyrtohet e do të miratohet nëpërmjet një procesi të hapur, transparent e gjithëpërfshirës, me kontributin e të gjithë aktorëve politikë e shoqërorë.
Në këtë kontekst përgëzoj angazhimin e çdo deputeti të shumicës apo pakicës në Kuvend, për të marrë pjesë, diskutuar, kritikuar e përmirësuar projektbuxhetin. Askund më mirë dhe më shumë se sa në Kuvend dhe debatin parlamentar, deputetët nuk mund të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre, nuk mund të diskutojnë, pse jo edhe të kundërshtojnë njeri-tjetrin, dhe të vendosim bashkarisht për të mirën e qytetarëve, sipas përgjegjësive që na ka ngarkuar sovrani.
Buxheti i vitit 2025 garanton trendin pozitiv të rritjes ekonomike të qëndrueshme në nivelin 3.9 përqind, rritjen e të ardhurave buxhetore e të ardhurave tatimore dhe uljen e borxhit publik.

















