Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
30 maj 2025
Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu bëri të ditur sot se ushtria shqiptare së shpejti do të pasurohet dhe me 2 avionë, të cilët do jenë për përdorim civil dhe ushtarak.
Vengu informoi se po finalizohet procesi për blerjen e 2 avionëve për përdorim të dyfishtë, civil-ushtarak, të cilët do të kenë përdorim parësor shuarjen e zjarreve.
Ai u ndal te vendimi i fundit i qeverisë për rikthimin e rezervistëve në forcë aktive. Ministri e cilësoi të domosdoshme këtë masë në kuadër të rienergjizimit të ushtrisë shqiptare, por edhe të mirëpritur nga ushtarakët e tërhequr.
“Miratuam dje në qeveri një vendim për të kthyer rezervistët në forcë aktive. Janë një grup ushtarakësh që kanë shërbyer për shumë vite të jetës së tyre si ushtarakë, por për arsye familjare apo personale janë shkëputur nga Forcat e Armatosura, por ligji e parashikon që ata të qëndrojnë si forcë rezerviste”, tha ministri Vengu.
Nisur nga investimet në kapacitetet njerëzore dhe trajtimin financiar të ushtarakëve, Vengu theksoi se vitet e fundit ka pasur kërkesa të shumta që këta rezervistë të rikthehen në Forcat e Armatosura.