Ministri Hasani në Luksemburg: Shqipëria, partnere e angazhuar në çështjet e sigurisë dhe zgjerimit të BE-së

Koha e parashikuar e leximit: 1 minut

14 prill 2025

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ndodhet në Luksemburg ku mori pjesë në një takim të nivelit të lartë, të organizuar me iniciativën e Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, njëherësh Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.

Takimi mblodhi së bashku përfaqësues nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe nga Ballkani Perëndimor, për të shkëmbyer mendime mbi sfidat e përbashkëta në fushat e sigurisë, mbrojtjes, kërcënimeve të reja, si dhe mbi procesin e zgjerimit dhe nevojën për veprim të koordinuar.

Ministri Hasani theksoi angazhimin e Shqipërisë në këto diskutime strategjike, duke deklaruar se vendi është plotësisht i përkushtuar në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“Shqipëria është një partnere e angazhuar në këto diskutime, ndërsa vazhdon përpara në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian,” u shpreh ministri përmes një postimi nga Luksemburgu.

Scroll to Top