Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
18 nentor 2025
Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul vizitoi Tiranën në kuadër të një turi në Ballkanin Perëndimor, ku u prit nga homologja shqiptare Elisa Spiropali. Në konferencën për media, ai vlerësoi progresin e Shqipërisë drejt integrimit europian, duke theksuar se Berlini dhe Bashkimi Europian mbështesin fuqishëm këtë proces.
Wadephul theksoi rëndësinë e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe ndarjes reale të pushteteve. Ai bëri të ditur se ishte takuar me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, dhe vlerësoi punën e institucionit: “SPAK po bën një punë të shkëlqyer. Sistemi i drejtësisë duhet të jetë i lirë nga çdo ndikim dhe kjo punë duhet të vijojë me vendosmëri, jo sporadikisht.”
Ministrja Spiropali, ndërkohë, e cilësoi vizitën si një moment me simbolikë të veçantë, duke përkuar me hapjen në Bruksel të Grupkapitullit të fundit të mbetur — “Burime, Bujqësi dhe Kohezion” — në kuadër të negociatave të anëtarësimit. Ajo theksoi se Shqipëria po ecën me ritëm të paparë në procesin negociues dhe se objektivi kombëtar mbetet mbyllja e negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimi brenda dekadës.
Spiropali vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë, duke e cilësuar atë “partner strategjik de facto” të Shqipërisë. Ajo nënvizoi se Berlini ka luajtur rol kyç në procesin e zgjerimit dhe në avancimin e reformave në Shqipëri, përfshirë luftën kundër pandëshkueshmërisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjatë deklaratës së saj, ministrja theksoi rëndësinë e Procesit të Berlinit për integrimin rajonal dhe vlerësoi rolin konstruktiv që luan Shqipëria në Ballkanin Perëndimor. Ajo theksoi po ashtu mbështetjen e fortë të Shqipërisë për Kosovën në procesin e integrimit euro-atlantik, duke ripërsëritur qëndrimin se masat kufizuese ndaj Prishtinës janë të padrejta dhe duhet të hiqen menjëherë.
Në planin ekonomik, Spiropali ftoi investitorët gjermanë të zgjerojnë prezencën në Shqipëri, duke theksuar rritjen e ndjeshme të bashkëpunimit tregtar dhe të turizmit, ku vizitorët nga Gjermania renditen ndër më të shumtët.
Vizita e Wadephul, siç u vlerësua nga të dy palët, pritet të nxisë më tej marrëdhëniet politike, ekonomike dhe të sigurisë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

















