Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
22 dhjetor 2025
Sot në GJKKO do të mbahet seanca paraprake për dosjen ‘Meta’. Në seancën kaluar ishte i pranishëm edhe vetë Ilir Meta, i cili kërkoi që të njihet me aktet.
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) mbahet sot seanca paraprake për dosjen penale që lidhet me ish-presidentin Ilir Meta.
Në seancën e mëparshme ishte i pranishëm edhe vetë Meta, i cili kërkoi të njihet me aktet e çështjes. Pas kësaj kërkese, GJKKO urdhëroi SPAK-un që t’i vërë në dispozicion ish-presidentit një pjesë të dokumentacionit hetimor.
Burime pranë çështjes bëjnë me dije se Meta nuk ka kërkuar akses në të gjithë dosjen, por vetëm në disa akte specifike, të cilat sipas SPAK-ut pretendohet se e implikojnë atë drejtpërdrejt.
Hetimet nga SPAK-u u mbyllën më 28 korrik, ndërsa në fund të gushtit dosja u dërgua për gjykim. Çështja përfshin tre hetime të bashkuara në një procedim të vetëm, që lidhen me aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Meta ndodhet në masën e sigurisë “arrest me burg” që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa ndaj Monika Kryemadhit është vendosur masa e detyrimit për paraqitje.

















