Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
19 nentor 2025
Me përfundimin e fushatës së kualifikimeve për Botërorin 2026 edhe panorama e skuadrave të play-off-it tashmë është plotësisht e qartë. Shqipëria dhe Kosova, të vendosura në vazon e tretë, shmangin një përballje direkte mes tyre, duke u rreshtuar krah Irlandës dhe Bosnje & Hercegovinës.
Në vazon e parë ndodhen “peshat e rënda” të garës: Italia, Danimarka, Turqia dhe Ukraina. Vazoja e dytë, aty ku qëndrojnë edhe kundërshtarët e mundshëm të kuqezinjve dhe “dardanëve”, përfshin Poloninë, Uellsin, Republikën Çeke dhe Sllovakinë. Ndërsa vazon e fundit e plotësojnë skuadrat e dala nga Nations League: Rumania, Suedia, Maqedonia e Veriut dhe Irlanda e Veriut.
Shqipëria do ta nisë rrugëtimin e saj në play-off jashtë fushe, ndërsa finalja – nëse kuqezinjtë kalojnë turin e parë – do të përcaktohet nga shorti për të vendosur nëse do të jenë pritës apo udhëtues. I njëjti skenar vlen edhe për Kosovën.
Shorti do të hidhet më 20 nëntor në Nion të Zvicrës, ndërsa ndeshjet e play-off-it do të zhvillohen në mars të vitit 2026. E gjithë Europa pret me kuriozitet se kush do të sigurojë biletën e fundit për Botërorin.

















