Mes kritikash dhe kundërshtimesh, Parlamenti i Malit të Zi miraton marrëveshjet për plazhin e Ulqinit me Emiratet e Bashkuara

Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta

23 prill 2025

Kuvendi i Malit të Zi i ka miratuar me procedurë të përshpejtuar ligjet që ratifikojnë Marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik dhe Marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Miratimi, me kërkesë të Qeverisë së kryeministrit Milojko Spajiq, ishte i domosdoshëm që marrëveshjet – të cilat Spajiq i nënshkroi më 28 mars me zyrtarët e Emirateve – të hynin në fuqi.

Marrëveshjet e kundërshtuan nga deputetët shqiptarë.

Por, ato u mbështetën nga deputetët e shumicës parlamentare – Lëvizja Evropa Tani e Spajiqit, Demokracia e Re Serbe e kryetarit të parlamentit Andrija Mandiq, Demokratët dhe Partia Boshnjake.

Debati, gjatë të cilit u hodhën poshtë të gjitha amendamentet e deputetëve, zgjati mbi 12 orë dhe përfundoi një orë pas mesnatës, më 23 prill.

Nga 81 deputetë, Marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik e mbështetën 50, ndërsa atë për bashkëpunim në turizëm dhe pasuri të paluajtshme e mbështetën 46 deputetë. Dhjetë ishin kundër të dyja marrëveshjeve, ndërsa një pjesë e opozitës e braktisi sallën para votimit.

Një pjesë e aktivistëve dhe sektorit joqeveritar konsideron se me miratimin e këtyre Marrëveshjeve është “pezulluar” Kushtetuta dhe një pjesë e ligjeve të Malit të Zi.

Në fakt, marrëveshjet ndërmjet shtetesh që u miratuan kanë përparësi ndaj legjislacionit vendas në rast të ndonjë mosmarrëveshjeje.

Ato nuk parashikojnë respektimin e dispozitave vendore për prokurime publike dhe tenderë, megjithëse Kushtetuta përcakton treg të lirë dhe ndalon shtrembërimin e konkurrencës dhe nxitjen e monopoleve.

Edhe pse në marrëveshje nuk specifikohet vendndodhja e investimeve, Qeveria ka njoftuar më herët se ato lidhen me investimet e biznesmenit arab Mohamed Alabbar në Plazhin e Madh të Ulqinit, ndaj të cilave ka kundërshtime të ashpra nga komuniteti lokal, ekologët dhe opozita.

Bëhet fjalë për një qira 99-vjeçare të një pjese të Plazhit të Madh, që së bashku me hapësirën përreth përfshin rreth 20 milionë metra katrorë, ku do të ndërtoheshin objekte turistike dhe banimi, ka bërë të ditur disa herë kryeministri Spajiq.

Në fillim të prillit, ai deklaroi në Kuvend se Alabbar është i gatshëm t’i investojë rreth 35 miliardë euro. Më vonë, ai e relativizoi këtë deklaratë duke thënë se bëhet fjalë për potencialin e tërheqjes së investimeve në atë shumë.

Marrëveshja e detyron Qeverinë në Podgoricë të përgatisë dokumentacionin planifikues në përputhje me dëshirat e investitorëve arabë, të ndërtojë infrastrukturën për projektet dhe të marrë përsipër kostot e eksproprijimit.

Nuk ka ndonjë vlerësim të qartë se sa do t’i kushtojë kjo Malit të Zi.

Alabbar ka qenë i përfshirë edhe në ndërtimin e projektit “Beogradi në ujë”.

Përveç Kuvendit Komunal të Ulqinit, të gjithë deputetët e Kuvendit të Malit të Zi nga ky qytet kanë qenë kundër kësaj marrëveshjeje.

Para debatit, kryetari i komunës, Genc Nimanbegu, tha se deputetët që do të mbështesin ligjet e propozuara “do të bëhen armiq të Ulqinit”.

“Njëzet milionë metra katrorë të Plazhit të Madh të Ulqinit po jepen me qira për 99 vjet. Si i shkoi dikujt në mendje ta bëjë këtë pa diskutim publik, pa përfshirjen e pushtetit lokal dhe publikut profesional?”, tha Nimanbegu.

Deputeti Mehmet Zenka, gjatë debatit për marrëveshjen, deklaroi se “në 100 vitet e fundit, nuk ka ndodhur një fatkeqësi më e madhe për Ulqinin”.

Kryetari i URA-s, Dritan Abazoviq, tha se me këtë marrëveshje po mundësohet shitja e Malit të Zi dhe po cenohet Kushtetuta, pasi “po planifikohet konfiskimi i pronës së qytetarëve pa ndonjë arsyetim se ku qëndron interesi publik”.

“Si mund të jenë interes publik apartamentet për shitje dhe hotel-kondot?”, pyeti Abazoviq, duke iu referuar dispozitës që e cilëson projektin si interes publik.

Më 17 prill, ai njoftoi se URA ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër Spajiqit dhe personave të panjohur për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes.

Scroll to Top