“Mendova se kisha vdekur” – Dëshmia rrëqethëse e të mbijetuarit nga tragjedia ajrore në Indi

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

13 qershor 2025

Vishwash Kumar Ramesh, një shtetas britanik dhe një nga të mbijetuarit e vetëm nga aksidenti tragjik i avionit të kompanisë Air India, ka rrëfyer momentet dramatike që përjetoi gjatë përplasjes së aeroplanit pak pas ngritjes. Ngjarja e rëndë, që ndodhi të enjten, mori jetën e 241 personave, ndërsa Ramesh arriti të mbijetojë mrekullisht.

Nga shtrati i spitalit ku po merr trajtim, 40-vjeçari foli për mediat indiane, duke thënë për kanalin DD News:
“Për disa sekonda mendova se kisha vdekur. Nuk e besoja ende që shpëtova. Kur hapa sytë dhe pashë përreth, kuptova se isha ende gjallë. Ende nuk e kuptoj si mbijetova.”

Ai përshkroi çastet e frikshme që pasuan ngritjen e avionit:
“Brenda 5–10 sekondave dukej sikur avioni kishte ngecur në ajër. Dritat filluan të pulsonin – jeshile dhe të bardha. Avioni nuk po ngrihej, por rrëshqiste, derisa u përplas me një ndërtesë dhe shpërtheu. Në fillim mendova se kisha vdekur. Kur pashë një hapje në trupin e avionit, u çlirova nga rripi, përdora këmbën për ta shtyrë hapjen dhe dola zvarrë jashtë. Nuk e di si shpëtova.”

Sipas autoriteteve indiane, aeroplani Boeing 787 Dreamliner u rrëzua mbi një koleg mjekësor në periferi të qytetit, duke shkaktuar edhe viktima në tokë. Pesë studentë të mjekësisë janë konfirmuar të vdekur, ndërsa rreth 50 persona të tjerë janë plagosur.

Kryeministri indian, Narendra Modi, ka vizituar vendngjarjen dhe spitalin ku po trajtohen të mbijetuarit, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe zotuar se autoritetet do të bëjnë gjithçka për të zbardhur shkaqet e tragjedisë.

Hetimet janë ende në vazhdim, ndërsa ky incident cilësohet si një nga aksidentet më të rënda ajrore që përfshijnë qytetarë britanikë dhe një avion të tipit Dreamliner 787.

Scroll to Top