Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
18 qershor 2025
Zhvendosen 30 avionë ushtarakë amerikanë në Europë.
Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e përfshirjes në krah të Izraelit në konfliktin me Iranin, një vendim që mund ta çojë rajonin e Lindjes së Mesme në shtigje të paqarta dhe të rrezikshme.
Siç bëjnë të ditur mediat amerikane, shefi i Shtëpisë së Bardhë zhvilloi një takim 90-minutësh të martën me ekipin e sigurisë kombëtare. Detajet nuk janë bërë të ditura, por në një seri postimesh në rrjetin social privat Truth, me komente të tilla si “kemi kontroll të plotë mbi qiejt e Iranit” kur Shtetet e Bashkuara nuk janë përfshirë ende në konflikt, apo “E dimë saktësisht ku fshihet lideri suprem i Iranit, por nuk kemi në plan ta vrasim për momentin”, si dhe thirrja “dorëzim pa kushte”, hedhin dyshime të forta, sipas analizave në media, se një hap i tillë mund të ndërmerret brenda pak ditësh.
Fordo, që ndodhet rreth 200 kilometra në jug të Teheranit. Ka dyshime të forta, por asnjë informacion të saktë, se ky është impianti më i madh bërthamor i vendit, ku pasurohen sasi të konsiderueshme uraniumi të gatshme për prodhimin e bombave bërthamore. Impiantin krejtësisht nëntokësor, në një thellësi prej 100 metrash, Izraeli nuk e shkatërron dot me municionet që disponon. Ndaj duhet ndihma e bombave të posaçme amerikane anti-bunker GBU-57, që transportohen nga bombarduesit bërthamorë B-2 për ta shkatërruar.
BBC ka konstatuar të paktën 30 avionë ushtarakë amerikanë që janë zhvendosur në disa baza në Europë ditët e fundit, ndër të cilët edhe ato të modelit B-2, një tjetër tregues i përfshirjes amerikane në këtë konflikt.