Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
20 shkurt 2025
Mbledhja e radhës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit mori në shqyrtim Dokumentin Analitik për Shtyllën e II – “Antikorrupsioni”.
Të ftuar në mbledhjen për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve lidhur me analizën e bërë lidhur me shtyllën e Antikorrupsionit prej anëtarëve të GENL: Prof. Asoc. Dr. Jonida Rystemaj, pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, Prof. Asoc. Dr. Ledjon Shahini, pedagog pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, znj. Ardita Seknaj, nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë, LL.M.Monika Canco, pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.
Anëtarja e komisionit të posaçëm, znj.Etilda Gjonaj, në cilësinë e relatores, bëri një përmbledhje të draftit të Dokumenti Analitik të hartuar me një strukturë të re, përmes angazhimit dhe kontributit të 41 ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, kontributit të dhënë nga ekspertë shqiptarë që jetojnë në diasporë dhe organizatave ndërkombëtare, procesit të konsultimit publik përmes organizimit të 6 tryezave publike, si dhe 6 forumeve të dialogut qytetar në Elbasan, Vlorë, Tiranë, Shkodër dhe Berat, ku kanë marrë pjesë rreth 265 pjesëmarrës, etj.
Znj.Gjonaj informoi se gjatë këtij procesi janë identifikuar rreth 80 komente/sugjerime të adresuara gjatë këtyre takimeve nga aktorë të shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve publike, akademikët dhe studentët, si dhe janë përcjellë 3 opinione me shkrim nga organizatat e shoqërisë civile, të clat janë përfshirë në analizë.
Në relacionin e prezantuar nga znj.Gjonaj nënvizohet se Dokumenti Analitik është hartuar duke analizuar në mënyrë shteruese dokumentet bazë, të cilat kanë shërbyer si udhërrëfyes të procesit, janë njëkohësisht dokumentet që përcaktojnë detyrimet e shtetit shqiptar në kuadër të procesit të negociatave për integrimin europian duke përfshirë masat e udhërrëfyesve të shtetit të së drejtës, reformës në administratën publike dhe për funksionimin e institucioneve të pavarura. Ashtu si dhe raportet e mekanizmave ndërkombëtarë që monitorojnë progresin e Shqipërisë në këtë fushë, si ato të Këshillit të Europës, DASH, OGP, TI, UNCAC etj.
Relatorja theksoi se metodologjia e ndjekur për realizimin e kësaj analize është ndërtuar mbi një qasje të integruar, duke kombinuar metodat sasiore dhe cilësore në mbledhjen, përpunimin dhe analizën e të dhënave, si dhe duke vlerësuar praktikat më të mira ndërkombëtare dhe përshtatur ato në kontekstin shqiptar. Sipas saj, një kontribut i rëndësishëm është dhënë nga konsultimi i 150 dokumentave dhe raporteve të organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe institucioneve publike në Shqipëri, duke ofruar perspektivën e tyre në kontekstin shqiptar.
Në relacionin e paraqitur theksohet se Dokumenti Analitik i Integruar për shtyllën e Antikorrupsionit tashmë përmban 9 fushat tematike me 241 masa specifike në total, duke përfshirë kuadrin institucional dhe rregullator për luftën kundër korrupsionit, si dhe aspekte të tjera të konsideruara prioritare për një fokus të veçantë.
Në lidhje me fushën e parë tematike, që përfshin kuadrin institucional dhe rregullator, relatorja bëri të ditur se janë propozuar 11 masa politiko-strategjike me veprim horizontal, duke adresuar problematikat në arkitekturën institucionale që parandalojnë dhe luftojnë korrupsionin, por edhe në adresimin e një kuadri të ri ligjor të dedikuar për luftën kundër korrupsionit.
Sa i takon fushës së dytë tematike, e cila lidhet me integritetin e zyrtarëve publikë, si në nivelin politik dhe në atë të drejtuesve të lartë ekzekutiv në relacionin e prezantuar në komision sqarohet se janë propozuar 42 rekomandime, disa prej të cilave synojnë adresimin e gjetjeve dhe problematike të mangësive ligjore dhe institucionale por edhe zbatimin, duke përfshirë konfliktin e interesave; adresimin e mangësive ligjore dhe institucionale në fushën e deklarimit të pasurive; mungesën ligjore për cështjet e lobimit apo trajtimin e dekriminalizimit. Një nga elementët më të rëndësishëm në aspektin e integritetit të zyrtarëve publikë është rishikimi i kuadrit ligjor dhe institucional për trajtimin e rasteve të sinjalizimit, duke qenë një mekanizëm kyç për denoncimin e korrupsionit.
Në kuadër të fushës së tretë tematike, që lidhet me financimin politik, janë propozuar 16 rekomandime, që adresojnë nevojën e një një kuadri të ri, të posaçëm, mbi transparencën e financimit të partive politike, si dhe rregullime specifike në drejtim të auditimit të partive politike dhe reklamave politike në median tradicionale e rrjetet sociale.

















