Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
29 korrik 2025
Katër persona humbën jetën, përfshirë një efektiv të Policisë së New York-ut, gjatë një sulmi të armatosur që ndodhi mbrëmjen e së hënës në një godinë shumëkatëshe në Park Avenue, Midtown Manhattan, ku ndodhen edhe zyrat e Ligës Kombëtare të Futbollit Amerikan (NFL).
Sipas autoriteteve, sulmi ndodhi gjatë orarit të pikut dhe shkaktoi panik në zonë. Autori është identifikuar si Shane Devon Tamura, 27 vjeç, nga Las Vegas, i cili pas të shtënave, i dha fund jetës duke qëlluar veten në gjoks. Ai kishte një histori problemesh mendore, ndërsa ende nuk është përcaktuar zyrtarisht motivi i tij.
Burime nga policia thanë për CNN se në trupin e tij u gjetën dokumente që tregonin pakënaqësi ndaj NFL-së dhe mënyrës se si kjo e fundit ka trajtuar çështjen e CTE-së, një sëmundje e trurit e lidhur me goditjet e përsëritura në kokë.
Ndër viktimat është edhe oficeri 36-vjeçar Didarul Islam, emigrant nga Bangladeshi, baba i dy fëmijëve të vegjël, ndërsa bashkëshortja e tij është në pritje të fëmijës së tretë. Një tjetër person mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike, por të qëndrueshme. Sipas një njoftimi të brendshëm, edhe një punonjës i NFL-së është plagosur seriozisht.

















