Mario Draghi nga Brukseli: Europa po humbet sovranitet

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

16 shtator 2025

Një vit pas paraqitjes së raportit të tij për konkurrueshmërinë në Bashkimin Europian, ish-presidenti i Bankës Qendrore Europiane dhe ish-kryeministri italian, Mario Draghi, është rikthyer në Bruksel për të zhvilluar një takim me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Nga atje, ai lëshoi një paralajmërim të fortë: Europa po përballet me një krizë të thellë ekonomike dhe institucionale, që kërkon veprime të menjëhershme.

Sipas Draghit, modeli tradicional i rritjes së BE-së po zbehet, dobësitë strukturore po thellohen, dhe mungon një strategji e qartë për të financuar investimet e nevojshme. Ai e cilësoi mosveprimin si një kërcënim të drejtpërdrejtë për konkurrueshmërinë dhe sovranitetin europian.

“Qytetarët dhe bizneset janë të gatshëm të veprojnë, por ndihen të braktisur. Qeveritë nuk po e kuptojnë seriozitetin e momentit dhe shpesh justifikohen me vetëkënaqësi. Duam rezultate brenda muajve, jo viteve”, deklaroi Draghi.

Ai identifikoi tri fusha prioritare ku BE-ja duhet të veprojë menjëherë: Nxitja e inovacionit teknologjik, përmes heqjes së barrierave që pengojnë kompanitë të operojnë lirshëm në të gjithë tregun europian.

Thjeshtimi i rregulloreve, sidomos në lidhje me përdorimin e të dhënave për inteligjencën artificiale, ku GDPR aktualisht krijon pasiguri ligjore.

Integrimi i inteligjencës artificiale në industri, ku Europa ka potencial të madh, por që mbetet i nënshfrytëzuar.

Një tjetër problem madhor, sipas Draghit, është kostoja e lartë e energjisë në BE. Çmimi i gazit në Europë është katërfish më i lartë se në SHBA, ndërsa energjia industriale kushton më shumë se dyfishi. Në këtë kontekst, tranzicioni drejt një ekonomie të avancuar teknologjikisht është në rrezik, veçanërisht për sektorin e qendrave të të dhënave, ku kërkesa për energji pritet të rritet me 70% deri në vitin 2030.

Pavarësisht disa projekteve të reja përfshirë ndërtimin e pesë gigafabrikave të inteligjencës artificiale dhe trefishimin e kapacitetit të qendrave të të dhënave, Draghi pranoi se hendeku me SHBA-në dhe Kinën mbetet i thellë. Vitin e kaluar, SHBA krijoi 40 modele të avancuara të IA-së, Kina 15, ndërsa Europa vetëm 3. Në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, niveli i adoptimit të IA-së mbetet i ulët, mes 13 dhe 21%.

Draghi përfundoi me një mesazh të qartë: Europa duhet të ndërtojë një inteligjencë artificiale të bazuar në pronësi intelektuale europiane, që të mbështesë industrinë vendase dhe të mbrojë interesat strategjike të kontinentit. “Strategjia Apply AI e Komisionit do të jetë një test vendimtar për këtë qëllim”, theksoi ai.

Scroll to Top