Magic Earth sfidon Google Maps me funksionin e ri “Rrugë Piktoreske”

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

11 shkurt 2026

Një aplikacion navigimi më pak i njohur, Magic Earth, ka prezantuar një veçori të re që mund të ndryshojë mënyrën si përjetohet udhëtimi me makinë. Ndërsa tregu dominohet tradicionalisht nga Google Maps dhe Apple Maps – me alternativa si Waze dhe Mapbox që kanë fituar terren vitet e fundit – Magic Earth po përpiqet të tërheqë vëmendjen me një funksion të shumëkërkuar nga përdoruesit.

Në përditësimin e tij më të fundit, aplikacioni ka shtuar modalitetin “Scenic” (Rrugë Piktoreske), i cili ofron itinerarin më të shpejtë duke përfshirë rrugë më të bukura, të lakuara dhe kodrinore mes pikave të zgjedhura. Ndryshe nga navigimi tradicional që fokusohet vetëm në kohën më të shkurtër të mbërritjes, ky opsion synon të kombinojë efikasitetin me përvojën vizuale të udhëtimit.

Funksioni i ri vjen në një kohë kur përdoruesit e Google Maps kanë kërkuar prej vitesh një alternativë të ngjashme për zgjedhjen e rrugëve panoramike, por pa sukses deri tani.

Përveç këtij modaliteti, Magic Earth ka prezantuar edhe një ndërfaqe të re “në stil qelqi”, duke ndjekur trendet e fundit të dizajnit digjital. Aplikacioni ofron gjithashtu informacione për trafikun në kohë reale, të bazuara në të dhëna nga komuniteti i përdoruesve, si dhe mbështetje për disa mënyra transporti – automjet, ecje dhe transport publik.

Një tjetër avantazh është mundësia për të përdorur harta 3D dhe akses jashtë linje, çka e bën të përshtatshëm për udhëtime në zona me mbulim të kufizuar interneti. Versioni bazë i aplikacionit është falas, ndërsa funksionet e avancuara kërkojnë abonim në paketën Premium.

Me këto risi, Magic Earth synon të pozicionohet si një alternativë serioze përballë gjigantëve të navigimit digjital.

Scroll to Top