Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
18 nentor 2025
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, deklaroi të hënën se është i gatshëm të ulet për bisedime direkte me presidentin amerikan, Donald Trump, duke theksuar se dialogu duhet të shkojë për paqe, jo për luftë. Deklarata vjen pas një letre të një pastori amerikan dhe në një kohë kur Uashingtoni ka intensifikuar praninë ushtarake në Karaibe, zyrtarisht për të luftuar trafikun e drogës.
“Çdo kush që dëshiron të flasë me Venezuelën do të gjejë gjithmonë njerëz për të folur ballë për ballë. Por nuk do të lejojmë që populli i krishterë i vendit të bombardohet dhe masakrohet”, tha Maduro gjatë emisionit të tij të përjavshëm televiziv. Ai shtoi se dëshiron dialog “po për paqen dhe jo për luftën”.
Maduro paralajmëroi gjithashtu se disa “sektore të pushtetit” në SHBA mund të përpiqen ta fusin Trump në një “gabim fatal” duke urdhëruar një operacion ushtarak kundër Venezuelës, gjë që sipas tij do të ishte fundi politik i udhëheqësit amerikan dhe të atyre që e shtyjnë drejt konfliktit.
Nga ana tjetër, Trump ka lënë të hapur mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Venezuelë, duke deklaruar se nuk e përjashton asnjë opsion. Që nga gushti, ushtria amerikane ka forcuar prezencën e saj në Karaibe, duke përfshirë transportuesin më të madh të avionëve në botë dhe duke ndërmarrë sulme kundër mjeteve të transportit të drogës, me mbi 80 persona të vrarë.
Karaksi i Venezuelës shikon veprimet amerikane jo thjesht si një luftë kundër drogës, por si një pretekst për të imponuar një ndryshim regjimi dhe për të marrë kontrollin e rezervave të naftës së vendit.

















