Lufta në Ukrainë/ Një ditë pas sulmit në bazat ajrore të Rusisë, delegacionet mblidhen në Stamboll për negociata

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

02 qershqr 2025

Sulmi i befasishëm i Ukrainës në bazat ajrore në disa territore të Rusisë, pritet të ndikojë edhe vijimin e negociatave në Stamboll mes dy palëve. Vladimir Putin ka thirrur një mbledhje të këshillit kombëtar të sigurisë ndërsa sot pritet që delegacionet të zhvillojnë raundin e dytë të diskutimeve në Turqi.

Negociatat për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës janë drejt një fundi të parakohshëm, para se të rifillojnë zyrtarisht, sipas analizës së fundit të gazetës italiane Corriere della Sera. Ndërsa delegacioni rus ishte nisur drejt Stambollit për raundin e dytë të bisedimeve, një sulm i ri ukrainas ndaj bazave ajrore ruse tronditi dinamikën diplomatike.

Burime në Moskë raportojnë për vështirësi në qarkullimin e informacionit në kohë reale. Mediat shtetërore zgjodhën të heshtin për incidentin për orë të tëra, ndërsa vetëm në mbrëmje Ministria e Mbrojtjes konfirmoi ngjarjen, duke e cilësuar atë si një “akt terrorist nga regjimi i Kievit”. Në deklaratë u pohua se sulmet ishin zmbrapsur dhe dëmet ishin minimale, megjithatë u pranua se disa njësi kishin marrë flakë.

Përballë kësaj përshkallëzimi, Presidenti rus Vladimir Putin thirri menjëherë një mbledhje urgjente të Këshillit Kombëtar të Sigurisë. Reagimi i parë zyrtar erdhi nga Zëvendëskryetari i Dumës, Konstantin Kosachev, i cili e quajti sulmin një akt terrorist që “do të marrë një përgjigje pa mëshirë”.

Megjithatë, përpjekjet diplomatike vijojnë. Delegacioni rus mbërriti të dielën në mbrëmje në Stamboll dhe do të drejtohet nga Ministri i Kulturës, Vladimir Medinsky. Pas disa ditësh pasigurie, Ukraina konfirmoi gjithashtu pjesëmarrjen në bisedime. Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi se delegacioni ukrainas do të përfaqësohet nga Ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov.

Raundi i parë i bisedimeve solli një zhvillim domethënës – shkëmbimin më të madh të të burgosurve të luftës deri më tani. Por pavarësisht këtij hapi pozitiv, nuk është arritur ende një marrëveshje për ndalimin e luftimeve.

Sipas të dërguarit të SHBA-së, Keith Kellogg, të dy palët pritet të paraqesin dokumente me propozimet e tyre për kushtet e paqes. Stambolli mbetet një arenë kyçe diplomatike, por shpresat për një përparim të prekshëm zbehen përballë zhvillimeve të reja ushtarake dhe retorikës së ashpër mes palëve.


Scroll to Top