Koha e parashikuar e leximit: 5 minuta
19 qershor 2025
Nga Alban Begolli
Nuk ka nevojë për një deklaratë formale që të kuptojmë se lufta ka filluar. Nuk ka nevojë për flamuj të djegur apo bomba që bien mbi qytete por mjafton të dëgjosh heshtjen e madhe që mbulon botën, dhe ta ndjesh se diçka tashmë është thyer.
Izraeli dhe Irani, Izraeli dhe Palestina, Rusia dhe Ukraina, Kina dhe Tajvani… njëra pas tjetrës hapen plagë që nuk mbyllen, dhe ndërsa i shikojmë lajmet në ekran e portale, frika për luftë të tretë tashmë është kthyer në përditshmëri.
Jemi duke hyrë në një epokë ku ndjeshmëria është kthyer në dobësi, ku çdo krizë lexohet si një shans për epërsi, dhe ku popujt nuk janë më njerëz, por pjesë të një loje gjeopolitike që s’ka fitues.
Përmes këtij shkrimi, nuk po i analizoj vetëm raketat por dua të pyes se a na kanë mbetur ndjenja njerëzore në një botë që po shkon drejt çnjerëzimit?
Nga dita në ditë, lajmet duken gjithnjë e më të njohura: raketa që bien, aleanca që ashpërsohen, thirrje për luftë nga foltoret politike dhe heshtje e frikshme nga diplomacia.
Tashmë nuk po shohim më vetëm konflikte lokale, por po shohim një botë që ka nisë të merr flakë nga disa drejtime në të njëjtën kohë.
Lufta e Izraelit dhe Iranit që për një kohë të gjatë ishte vetëm në fjalë e sulme kibernetike, të enjten u kthye në një përplasje të drejtpërdrejtë me raketa balestike.
Rusia dhe Ukraina janë në luftë për më shumë se tre vjet, ndërsa vendet perëndimore mbështesin Ukrainën me ndihma ushtarake dhe politike, duke hyrë kështu një luftë in-direkte me një super fuqi siç është Rusia.
Nga ana tjetër, Kina s’e fsheh më qëllimin ndaj Tajvanit. Të gjitha këto nuk janë thjesht lajme nga larg por janë pjesë të të njëjtës skenë: një krizë globale që po merr formë dita e ditës.
Të gjitha rrugët po na çojnë drejt përplasjes
Sipas ekspertëve, Lufta e Tretë Botërore mund të shpërthejë nga tre vende kryesore:
- Nga përplasja mes vendeve të mëdha:
SHBA-ja dhe aleatët e saj (siç është NATO) janë kundër Rusisë dhe Kinës. Për shembull, konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës dhe tensionet mes Kinës dhe Tajvanit janë pjesë e kësaj përplasjeje që mund të çojnë në një luftë botërore. - Nga konfliktet në Lindjen e Mesme:
Në Lindjen e Mesme ka shumë tensione, si ajo që shpërtheu të enjten mes Izraelit dhe Iranit në të cilën janë të përfshira tre fuqi të mëdha si Arabia Saudite, Rusia dhe SHBA-ja . - Nga trazirat në vendet e varfra:
Në vende si Afrika dhe Amerika Latine ka shumë probleme si mungesa e ushqimit, luftëra të vogla dhe trazira. Për shembull, luftërat në disa pjesë të Afrikës apo krizat në Venezuelë. Fuqitë e mëdha mund t’i përdorin këto vende për të luftuar me njëra tjetrën nëpërmes të palëve të treta.
Të gjitha këto, nuk janë teori filmash por fatkeqësisht skenarë realë. Mjafton një “grackë” e vogël dhe gjithçka mund të dalë jashtë kontrollit.
Njerëzit duan paqe, por hasin në vesh të udhëheqësve të shurdhër
Askush në botë nuk e do luftën. Njerëzit në Teheran, Tel Aviv, Palestinë, Kiev, Moskë, Gaza, Nju Jork apo Prishtinë e Tiranë, të gjithë duam të jetojmë e punojmë, të kemi siguri. Por ajo që mungon është reflektimi në politikë. Diplomacia tashmë ka heshtur e dialogu ka marrë vendin e kërcënimeve dhe armatimeve.
Fatkeqësisht, brezi ynë, po bëhet dëshmitar i një kohe ku fuqitë e mëdha flasin vetëm me gjuhën e forcës armëve bërthamore. Dhe kur forca bëhet mjeti kryesor, historia na ka mësuar se fundi s’është kurrë i mirë.
A ka shpresë?
Po, ndoshta ende s’është vonë. OKB, NATO, dhe liderët globalë mund të ndalojnë rrëshqitjen drejt horrori global. Por për këtë duhet guxim, jo për të sulmuar, por për të dëgjuar, për të zgjidhur, për të hapur dyer, jo për t’i mbyllur.
Sepse nëse s’mësojmë nga dy luftërat botërore që lanë miliona viktima pas vetes, atëherë do ta përsërisim të njëjtin gabim. Vetëm që këtë herë, mjetet janë më shkatërruese, dhe koha për të reflektuar është më e shkurtër