Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
08 korrik 2025
Lirohet pas gati 10 muajsh në qeli ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Vendimi u mor paraditen e kësaj të marte, 8 korrik, nga Gjykata e Fierit, ku u mbajt seanca për shqyrtimin e kërkesës së tij për liri me kusht. Salianji kishte kryer deri më tani 2/3 e dënimit dhe i kishin mbetur edhe 3 muaj të tjerë për të kryer dënimin e plotë.
Gazetarja Anila Sefa raporton nga seanca se raporti i shërbimit të provës ishte pozitiv dhe po ashtu edhe prokurori i çështjes, Genc Mane dha dakordësinë e tij për lirimin e Salianjit. Pas fitimit të lirisë, Salianji pritet që në orën 17:00 të mbajë një konferencë për mediat në selinë blu. Këto ishin dhe fjalët e tij të para pas vendimit të gjykatës: “Do të jem në konferencë në orën 17:00 në selinë e PD-së.”
Kjo ishte e disata tentativë që ish-deputeti Ervin Salianji bënte për t’u liruar nga burgu, që pas arrestimit të tij më 27 shtator të vitit 2024. Në mars të këtij viti, Gjykata e Lartë i rrëzoi rekursin, i cili kërkonte rrëzimin e vendimit të 27 shtatorit dhe fitimin e lirisë.
Kujtojmë se Salianji u dënua nga Gjykata e Tiranës për kallëzim të rremë në lidhje me një denoncim publik që kishte bërë ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm socialist, Fatmir Xhafaj. Bëhet fjalë për rastin që u njoh publikisht si “Babalja”, ku pretendohej se vëllai i Xhafajt ishte i përfshirë në trafikun e drogës.

















