Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
17 qershor 2025
Presidenti amerikan Trump është larguar nga samiti i G7 në Kanada.Në një deklaratë të përbashkët mbi konfliktin midis Izraelit dhe Iranit, Irani shihet si “burimi kryesor i paqëndrueshmërisë dhe terrorit rajonal”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është larguar para kohe nga samiti i G7-ës që po mbahet në Kanada, duke theksuar se duhet të kthehet urgjentisht në Uashington për shkak të zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme. “Duhet të kthehem sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Trump, pas vetëm një dite pjesëmarrjeje në samit dhe pasi mori pjesë në darkën zyrtare dhe foton familjare me liderët botërorë.
Kriza në Lindjen e Mesme, e cila ka rënduar atmosferën në samit, duket se ka qenë arsyeja kryesore e këtij vendimi. Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump u bëri thirrje banorëve të Teheranit të evakuohen, ndërkohë që Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka njoftuar vendosjen e kapaciteteve ushtarake shtesë në rajon.
Edhe pse samiti nisi në mënyrë të qetë dhe simbolike, me mikpritjen nga kryeministri kanadez Mark Carney dhe një sfond malor piktoresk, situata u përshkallëzua shpejt. Trump, i njohur për deklaratat e tij të forta, kërkoi rikthimin e Rusisë në formatin G8 dhe hodhi kritika ndaj paraardhësve të tij dhe liderëve të tjerë për përjashtimin e saj në vitin 2014.
Carney dhe liderë të tjerë, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe presidentin britanik Keir Starmer, tentuan të ruajnë qëndrimin diplomatik. Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron ofroi mbështetjen për një iniciativë të re paqeje në Lindjen e Mesme.
Në fund të ditës, u miratua një deklaratë e përbashkët ku Irani përshkruhej si “burimi kryesor i paqëndrueshmërisë dhe terrorit në rajon”, ndërsa u theksua e drejta e Izraelit për vetëmbrojtje. Kjo deklaratë përbën një nga pikat e pakta të dakordësuara mes liderëve, përfshirë edhe vetë Trumpin.
Largimi i tij ka trazuar organizimin e samitit, duke ndryshuar axhendën e përgatitur me kujdes nga Kanadaja. Vizita e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, e planifikuar për të martën më 17 qershor, pritet të fokusohet në çështjen e luftës në Ukrainë, por tani ajo mund të kalojë në plan të dytë përballë zhvillimeve të reja në Lindjen e Mesme. Edhe ardhja e kryeministrit indian Narendra Modi përkoi me këtë moment tensioni.
Samiti i G7-ës këtë vit është kthyer në një pikë kthese, ku diplomacia klasike përballet me realpolitiken dhe emergjencat globale që kërkojnë reagim të menjëhershëm.