Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
24 gusht 2025
Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi përmes një postimi në Facebook ka publikuar faqen ku mund të raportohet pasivizimi i adresave në Luginë të Preshevës.
Ai u shpreh se pasivizimi që po ushtrohet ndaj atje, nga ana e autoriteteve shtetërore të Serbisë, siç tha, paraqet metodën e sofistikuar të spastrimit të heshtur etnik.
“Raporto pasivizimin te faqja e KDNJ: pasivizimi.com. Pasivizimi që, viteve të fundit, po ushtrohet ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga ana e autoriteteve shtetërore të Serbisë, paraqet metodën e sofistikuar të spastrimit të heshtur etnik”, shkroi ai.
Kamberi gjithashtu tha se krijimi i kushteve të barabarta të jetës, nëpërmjet inkuadrimit të drejtë e proporcional në institucionet publike e shtetërore ishin siçu shpreh, qëndrimet bazë të tri marrëveshjeve të nënshkruara.
“Edhe pse që nga përfundimi i konfliktit të armatosur, përfaqësuesit politik shqiptar, me ndërmjetësimin edhe të ambasadave mike që veprojnë në Beograd, kanë nënshkruar disa marrëveshje me qeverinë në Beograd, mungesa e vullnetit politik në kryeqendrën e Serbisë ka bërë që këto marrëveshje të mos respektohen. Krijimi i kushteve të barabarta të jetës, nëpërmjet inkuadrimit të drejtë e proporcional në institucionet publike e shtetërore ishin qëndrimet bazë të tri marrëveshjeve të nënshkruara.Qeveritë në Beograd, në vazhdimësi dëshmuan se edhe marrëveshjet e nënshkruara, e programet e aprovuara nga vet ajo, i shkelin dhe nuk i respektojnë”.
“Përkundër kësaj, në vend të ndërmarrjes së masave afirmative për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve, Ministria e punëve të brendshme e Serbisë, duke i keqpërdorur në mënyrë drastrike dispozitat e Ligjit për vendbanimin dhe vendqëndrimin ka nisur procesin e pasivizimit të adresave për mijëra shqiptarë, metodë kjo administrative e spastrimit etnik apo shpopullimit të Luginës së Preshevës.