Ky është çmimi marramendës i dy vilave që bleu Cristiano Ronaldo në Detin e Kuq 

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

24 dhjetor 2025

Cristiano Ronaldo vazhdon të zgjerojë investimet e tij në pasuri të paluajtshme luksoze, duke shtuar së fundmi dy vila ekskluzive në Detin e Kuq, në Lindjen e Mesme.

Ylli portugez i Al-Nassr dhe partnerja e tij, Georgina Rodriguez, kanë blerë dy rezidenca luksoze në ishullin privat Nuhuma, rreth 25 kilometra larg bregut të Arabisë Saudite. Vlera totale e investimit kap shifrën e rreth 8.2 milionë eurove, me secilën vilë që kushton afro 4 milionë euro.

Vilat janë të ndërtuara buzë detit dhe janë të pozicionuara në formë “unaze”, duke ofruar privatësi maksimale dhe pamje mbresëlënëse. Ato janë pjesë e një projekti prestigjioz të konceptuar nga arkitekti i njohur britanik Norman Foster dhe janë të aksesueshme vetëm përmes anijes ose hidroplanit, pasi vizitorët mbërrijnë fillimisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Detit të Kuq.

Sipas detajeve, njëra vilë përmban tre dhoma gjumi dhe është menduar për përdorim familjar, ndërsa tjetra ka dy dhoma gjumi, e dedikuar për mikpritjen e miqve. Projekti përfshin plane për zhvillime të mëtejshme luksoze, si fusha golfi, restorante elitare dhe ndërtimin e 11 resorteve luksoze në vitet në vijim.

Ky investim vjen pas nënshkrimit të kontratës së re dyvjeçare të Ronaldos me Al-Nassr, e cila i siguron atij përfitime që arrijnë deri në 575 milionë euro, duke i dhënë mundësi të investojë pa hezitim në prona të këtij niveli.

Burime pranë futbollistit bëjnë të ditur se Ronaldo e ka përshkruar ishullin si një vend me qetësi të plotë dhe bukuri natyrore, duke theksuar se ai dhe Georgina ndjenë menjëherë një lidhje të veçantë me ambientin.

Për CR7, luksi tashmë shkon paralelisht me izolimin, privatësinë dhe cilësinë e jetesës – elemente që ai duket se po i vlerëson gjithnjë e më shumë përtej fushës së blertë.

Scroll to Top