Kuvendi miraton “paqen fiskale”: Fshihen detyrimet deri në 2014, nis rivlerësimi me taksë 5%

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

12 dhjetor 2025

Nga 1 janari do të nisë rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, i cili do të shoqërohet me normë tatimore 5%. Megjithëse disa deputetë propozuan uljen e kësaj norme, amendamentet u rrëzuan gjatë seancës maratonë të Kuvendit.

Paralelisht, deputetët miratuan projektligjin “për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe detyrimeve në doganë”, me 73 vota pro, 0 abstenime dhe 14 kundër. Me këtë votim, paketa e ashtuquajtur “paqja fiskale” mori miratimin përfundimtar. Të dy projektligjet u kaluan me shumicë votash, ndërsa deputetët votuan nen për nen ndryshimet fiskale.

Opozita kritikoi ashpër nismën, duke kërkuar transparencë dhe publikimin e listës së përfituesve. Por asnjë prej amendamenteve të saj nuk u pranua nga mazhoranca. Ligji i miratuar parashikon se të gjitha detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2014 do të fshihen automatikisht, përjashtuar detyrimet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Sipas të dhënave, nisma prek rreth 2 miliardë euro, ku 1 miliard euro borxhe me vjetërsi mbi 10 vite do të falen pa kusht.

Për detyrimet tatimore dhe doganore të periudhës 2015–2024, lehtësimi do të bëhet vetëm nëse paguhet detyrimi bazë.

Deputeti Eno Bozdo deklaroi se nga falja e detyrimeve mund të përfitojnë edhe pronarë kompanish që kanë marrë tendera shtetërorë, ndërsa kërkoi publikimin e listës së 3 mijë bizneseve që përfitojnë më shumë. Nga ana tjetër, deputetja Milva Ikonomi tha se disa prej propozimeve janë marrë në shqyrtim, ndërsa Niko Peleshi u shpreh se votimi është bërë sipas procedurës dhe propozimeve të paraqitura.

Ndër debatet më të ashpra ishte ai për çështjen e gjobës 120 milionë euro ndaj kompanisë Bankers Petroleum. Deputeti Agron Shehaj ngriti shqetësimin se projektligji mund të çojë në faljen e gjobës, duke kërkuar që kompania të përjashtohet nga përfitimet. Ministri Petrit Malaj sqaroi se subjektet në hetim nuk përfitojnë nga ligji dhe se Doganat po vijojnë procedurat për mbledhjen e gjobës. Megjithatë, Shehaj kërkoi garanci se shuma do të përfundojë në buxhetin e shtetit dhe përsëriti thirrjen që lista e përfituesve të bëhet publike.

Scroll to Top