Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
18 dhjetor 2025
Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot, më 18 dhjetor 2025, në orën 10:00, në seancë plenare, ku deputetët pritet të shqyrtojnë dhe miratojnë një sërë projektligjesh dhe projektvendimesh me rëndësi për vendin.
Në rendin e ditës janë përfshirë nisma që lidhen me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, mbrojtjen nga diskriminimi, kujdesin alternativ në familje, diasporën, vullnetarizmin, ndryshimet klimatike, si dhe sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve. Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu ndryshime ligjore për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve.
Një nga pikat kryesore të seancës pritet të jetë edhe mocioni me debat për masat e ndërmarra nga qeveria në luftën me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar.
Në këtë seancë janë parashikuar edhe disa projektvendime, përfshirë emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Statistikave, si dhe ndryshime në strukturat organizative dhe pagat e institucioneve të drejtësisë.
Gjithashtu, gjatë seancës së sotme pritet të zhvillohet betimi i Endri Shabanit si Avokat i Popullit. Seanca do të përfshijë edhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

















