Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
21 tetor 2025
Sanae Takaichi ia doli. “Zonja e hekurt” është bërë gruaja e parë që merr postin e kryeministres në Japoni. Kjo është një thyerje simbolike e “kupolës prej xhami”, në një vend që renditet ndër më të fundit në botë për barazinë gjinore, por edhe një zhvendosje politike edhe më djathtas, për vendin e “Lindjes së Diellit”.
Një ditë historike për Japoninë. Në Dhomën e Ulët të Parlamentit (më e rëndësishmja në sistemin japonez), Takaichi fitoi që në raundin e parë me 237 vota, ndërsa në Dhomën e Lartë mori 125 vota.
Emërimi i saj do të bëhet zyrtar pas takimit me Perandorin Naruhito, që pritet të zhvillohet më vonë gjatë ditës. Ajo do të bëjë betimin si kryeministrja e 104-t, në mbrëmje.
Sanae Takaichi, 64 vjeçe, e lindur në Nara, Takaichi përfaqëson krahun më konservator të Partisë Liberal-Demokratike (PLD), që ka qeverisur Japoninë pothuajse pa ndërprerje, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ajo është një mbështetëse e palëkundur e ish-kryeministrit të ndjerë Shinzo Abe dhe një ultra-konservatore. Modeli i saj politik është ish-kryeministrja britanike Margaret Thatcher.
Dikur bateriste në një grup heavy-metal dhe e pasionuar pas motorëve, Takaichi është një vizitore e rregullt e tempullit “Yasukuni”, simbol i militarizmit japonez, që vazhdimisht nxit reagime të ashpra nga Kina dhe Koreja e Jugut.
Ajo është për një rishikim të Kushtetutës paqësore të Japonisë, me qëllim forcimin e qëndrimit ndaj Kinës dhe Koresë së Veriut.
Takaichi është e njohur për qëndrimet e saj tradicionale. Ajo është kundër mbajtjes së mbiemrit të vajzërisë për gratë e martuara, kundër martesave mes personave të së njëjtës gjini, dhe për ruajtjen e trashëgimisë perandorake vetëm për meshkujt.
Po ashtu, kërkon ligje më të ashpra për emigracionin, rritje të shpenzimeve publike dhe ulje taksash për të mbrojtur konsumatorët nga inflacioni. Ka kritikuar edhe vendimin e Bankës së Japonisë për rritjen e normave të interesit.
Ajo u zgjodh lidere e partisë më 4 tetor, pas dorëheqjes së kryeministrit Shigeru Ishiba. Vetëm gjashtë ditë më vonë, ajo humbi mbështetjen historike 26-vjeçare të partisë centriste “Komeito”.
Kështu, për të siguruar votat për t’u bërë kryeministre, u detyrua të arrijë një marrëveshje me një tjetër parti të djathtë, “Nippon Ishin”, një koalicion i shpallur në minutën e fundit, në prag të votimit të sotëm.
“Skifter” në politikën e jashtme dhe “pëllumb” në atë ekonomike, Takaichi do të ketë nevojë për mbështetjen e grupeve të tjera të opozitës për të qeverisur, sidomos për çështjet buxhetore.
Duke qenë kryeministrja e pestë në po aq vite, ajo do të përballet me një situatë politike të brishtë, në një parti konservatore të përfshirë në skandale dhe sfida të mëdha ekonomike. Ndërkohë, axhenda ndërkombëtare është e ngarkuar. Javën e ardhshme, në Japoni pritet të arrijë aleati i saj, Donald Trump.

















