Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
01 shtator 2025
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se personalisht në fushatën e 11 majit nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë. Gjatë deklaratës së tij për media nga SPAK, Berisha është pyetur se kur do të bëjë publike faturën për drejtuesin e fushatës Chris LaCivita. Sipas tij, në momentin që KQZ-ja të kërkojë deklaratën e shpenzimeve nga partitë politike, PD-ja do ta bëj atë publike.
“Tani, unë nuk them se nuk kam deklaruar. Tani deputetët po deklarojnë shpenzimet personale. Sepse nga deputetët që kanë bërë fushata kanë shpenzuar me dhjetëra, qindra, mijëra euro në këtë e këtë veprime. Sali Berisha nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë personale, sepse fushatën time e ka mbuluar PD. Pra çfarë shpenzimesh kam bërë unë në turneun në mbarë Shqipërinë, është bërë nga PD. Ka një ligj i cili përcakton afatin ligjon kur Partia Demokratike do të deklarojë shpenzimet dhe unë të garantoj se PD do të deklarojë çdo qindarkë. Cila është koha që përcakton ligji këtë nuk të them. KQZ-ja ka shpërndarë formularë për deputetët për të deklaruar shpenzimet, por jo partitë. Partitë kanë një afat ligjor. Kandidatët e tjetër kanë deklaruar shpenzime të sponsorizuar nga xhepi i tyre. Kjo është,” tha Berisha.