Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
08 dhjetor 2025
Kryetari republikan i Nënkomitetit për Evropën në Kongresin amerikan, Keith Self, ka deklaruar se Ballkani Perëndimor, përveç Ukrainës që ndodhet nën agresionin rus, është “rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë”. Të njëjtin vlerësim e ndan edhe eksperti amerikan Charles Kupchan nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë, i cili thekson se prania e SHBA-ve në rajon është thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin.
Kupchan vlerëson se megjithëse rajoni ka bërë përparim të madh që nga vitet ’90, situata mbetet delikate për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura. Ai përmend dialogun e stërzgjatur Kosovë–Serbi, tensionet e brendshme në Bosnjë-Hercegovinë dhe, siç e quan ai, “regjimin e paparashikueshëm” në Beograd, si rreziqe që mund të destabilizojnë sërish rajonin. Sipas tij, Kosova duhet të sigurojë mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve.
Sa i përket anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në NATO, Kupchan thekson se procesi është i vështirë dhe i pamundur pa përmbylljen e dialogut për normalizim me Serbinë. Ai kujton se qëndrimi i NATO-s dhe BE-së është që i gjithë Ballkani Perëndimor të integrohet në strukturat euroatlantike, por shtetet duhet të plotësojnë kriteret, të kryejnë reforma dhe të zgjidhin çështjet gjeopolitike, ku në qendër qëndron dialogu Kosovë–Serbi.
Aktualisht, katër vende anëtare të NATO-s – Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia – ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, çka e vështirëson edhe më tej procesin.

















