Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
26 nentor 2025
Administrata e Donald Trumpit ka përfshirë një figurë të pazakontë në rundin e fundit të negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke i dhënë procesit një kthesë të papritur. Dan Driscoll, 39 vjeç, sekretari më i ri i ushtrisë në historinë amerikane dhe i njohur si “njeriu i Trumpit për dronët”, ka qenë deri tani i lidhur kryesisht me çështje buxhetore, logjistike dhe të personelit, pa përvojë të drejtpërdrejtë diplomatike apo angazhim të mëparshëm në çështjet ruso–ukrainase.
Driscoll, i afërt me nënpresidentin JD Vance – të cilin e njohu përmes një organizate të veteranëve studentë – ka ndjekur të njëjtën rrugë akademike si ai: fillimisht universitet publik e më pas Fakultetin Juridik të Yale, përpara se të punonte në sektorin financiar. Pikërisht lidhjet e tij të ngushta me Vance e shtynë drejt rrethit të brendshëm të Trumpit.
Gjatë verës së vitit 2024, ndërsa ishte me pushime në Zvicër, Driscoll ishte ndër të parët që mori telefonatën e JD Vance, kur ky i fundit u informua se do të ishte zgjedhja e Trumpit për nënpresident. Pas rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, Driscoll u konfirmua me procedurë të përshpejtuar nga Senati si sekretar i ushtrisë dhe shpejt fitoi ndikim në administratë, veçanërisht pas rolit të tij në dislokimin e Gardës Kombëtare në disa qytete amerikane. Për një periudhë të shkurtër, ai drejtoi edhe Byrojn e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve.
Edhe pse kishte folur shpesh për rëndësinë e dronëve ukrainas si teknologji të lirë dhe efektive lufte, asgjë nuk tregonte se ai do të bëhej pjesë e procesit të paqes. Deri pak ditë më parë, Trump mbështetej kryesisht te i dërguari i posaçëm Steve Witkoff, i angazhuar në hartimin e propozimit për armëpushim.
Por situata ndryshoi papritur. Pas rrjedhjes së detajeve të draftit të përbashkët SHBA–Rusi, i cili shkaktoi shqetësim në Ukrainë, Driscoll u nis menjëherë drejt Kievit, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të Pentagonit. Vizita e tij u konsiderua delegacioni më i rëndësishëm ushtarak amerikan që nga marrja e detyrës nga Trump. Sipas ushtrisë amerikane, qëllimi kryesor ishte takimi me autoritetet ukrainase dhe diskutimi i hapave për t’i dhënë fund luftës.
Në Kiev, Driscoll u takua me presidentin Volodymyr Zelensky dhe mori pjesë në një pritje zyrtare në rezidencën e ambasadorit amerikan. Në ditët që pasuan, ai udhëtoi në Gjenevë për bisedime me zyrtarët ukrainas, së bashku me sekretarin e shtetit Marco Rubio, Witkoff dhe Jared Kushner, duke kontribuar në përditësimin e kornizës amerikane të paqes. Më pas, sipas CBS News, ai zhvilloi bisedime edhe me përfaqësues rusë në Abu Dhabi, duke u bërë një nga aktorët kyç të fazës së re të negociatave.
Përfshirja e tij në proces po shihet si një zhvillim i pazakontë, që mund të sinjalizojë ndryshime të rëndësishme në strategjinë amerikane për përfundimin e konfliktit.

















