Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
16 qershor 2025
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, është zhvendosur në një bunker të thellë nëntokësor në zonën Lavizan të Teheranit, vetëm pak orë pasi Izraeli nisi sulmet ajrore ndaj kryeqytetit iranian të premten në orët e hershme të mëngjesit.
Sipas burimeve të brendshme që kanë folur për Iran International, në bunker ndodhen edhe anëtarët e ngushtë të familjes së tij, përfshirë djalin e besuar Mojtaba Khamenei. Dy djemtë e tjerë, Masudi dhe Mostafa, këtë herë thuhet se janë bashkuar gjithashtu me familjen në strehimoren e fortifikuar.
Kjo nuk është hera e parë që Khamenei strehohet në këtë bunker. Sipas burimeve, gjatë operacioneve të mëhershme ushtarake kundër Izraelit, ai kishte kërkuar siguri në të njëjtin vend – megjithatë, atëherë jo e gjithë familja ishte me të.
Ndërkohë, situata në rajon vazhdon të përshkallëzohet. Izraeli ka shënjestruar për herë të parë qytetin Mashhad, rreth 2300 kilometra larg territorit të tij. Një burim diplomatik në Lindjen e Mesme tha për Iran International se ky sulm ajror ishte një mesazh i qartë për liderin suprem iranian – se asnjë cep i Iranit nuk është i sigurt.
Sulmet e fundit janë vazhdimësi e një serie përballjesh të ashpra mes dy shteteve. Më 13 prill 2024, Irani ndërmori “Operacionin Premtimi i Vërtetë 1”, një sulm masiv me mbi 300 raketa dhe dronë ndaj instalimeve ushtarake izraelite, në hakmarrje për vrasjen e dy gjeneralëve iranianë në Damask.
Ndërsa më 1 tetor 2024, Irani lëshoi edhe “Operacionin Premtimi i Vërtetë 2” me rreth 200 raketa, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së liderëve të afërt me Teheranin, përfshirë edhe ish-udhëheqësin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Tensionet janë në kulm dhe zhvillimet priten të përshpejtohen në orët dhe ditët në vijim.