Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
12 janar 2026
Kryetari i Parlamentit të Iranit ka lëshuar një paralajmërim të ashpër, duke thënë se bazat ushtarake amerikane, anijet dhe personeli i SHBA-së në Lindjen e Mesme mund të bëhen objektiv në rast të ndonjë ndërhyrjeje ushtarake nga Washingtoni, shkruan BBC.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka hedhur idenë e një ndërhyrjeje amerikane në Iran, duke deklaruar gjatë natës: “Ushtria po e shqyrton këtë dhe ne po shohim disa opsione shumë të forta.”
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt presidentit amerikan në një tubim pro-qeveritar të organizuar nga shteti në Teheran, Mohammad Baqer Qalibaf paralajmëroi: “Ejani dhe shihni se si do të shkatërrohen të gjitha asetet tuaja në rajon… çfarë do t’i ndodhë bazave amerikane, anijeve amerikane dhe forcave amerikane.”
Ai theksoi se pasojat e çdo ndërhyrjeje amerikane do të ishin të rënda dhe se rajoni do të “përfshihej nga flakët”, duke e cilësuar Trumpin si “të shkëputur nga realiteti” dhe duke e paralajmëruar që të mos u besojë asaj që ai i quajti informacione të rreme dhe mashtruese të inteligjencës.
















