Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
07 prill 2025
Gjatë vizitës së tij në Izrael, Kryeministri Edi Rama u nderua me Medaljen Presidenciale të Nderit akorduar nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, një nderim shumë i posaçëm për personalitete të nivelit më të lartë, siç janë Barack Obama, Angela Merkel, Elie Ëiesel, Henry Kissinger, Joe Biden, të cilët janë nderuar më parë me këtë medalje.
Kryeministrit Rama iu dorëzua Medalja e Nderit në një ceremoni të posaçme, organizuar në Rezidencën Presidenciale në Jeruzalem, ku ai ishte i ftuar me bashkëshorten e tij, Linda Rama dhe delegacionin shqiptar që e shoqëron në këtë vizitë. Gjatë fjalës së tij, kryeministri u shpreh se medalja është një nder që e merr në emër të të gjithë popullit shqiptar për mbështetjen që tregoi ndaj hebrenjve në periudhën më të errët të tyren.
“Ky nder i jashtëzakonshëm nuk mund të jetë vetëm për mua, por e marr në emër të Shqipërisë, në emër të popullit shqiptar, e mbi të gjitha, në emër të të gjithë shqiptarëve myslimanë e të krishterë, të cilët vunë veten e jetët në rrezik gjatë orëve më të errëta të historisë moderne dhe e kthyen vendin tim në të vetmin vend në Europë që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrej sesa në fillim të saj.”, u shpreh kryeministri pas marrjes së medaljes.
Kreu i qeverisë përmendi faktin se ndryshet nga vendet e tjera, Shqipëria u bë një strehë për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rama theksoi gjithashtu se si nazistët iu kërkuan udhëheqësve fetarë në vend që t’u dorëzonin hebrenjtë, por ata refuzuan ta bënin një gjë të tillë, duke thënë që mund të merrnin vetëm arin.
“Ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria u bë strehë për popullin hebre dhe ndryshe po kështu nga vendet e tjera, hebrejtë nuk largoheshin, por erdhën për të gjetur strehë, për të gjetur mbrojtje dhe për të qenë të sigurt. Nuk mundem të mos kujtoj këtu një prej shumë episodeve, të asaj faqeje të lavdishme të historisë sonë, kur të gjithë udhëheqësit fetarë u thirrën nga nazistët për të dhënë qasje për t’i dorëzuar arin shqiptar dhe listën e hebrejve dhe ata menjëherë thane: “Mund ta merrni floririn, po hebrenjtë janë tanët, do t’i mbrojmë”. Dhe ata nuk bashkëpunuan me nazistët dhe askush nuk e bëri këtë.”
Më tej, kreu i qeverisë theksoi nevojnë për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Duke u ndalur edhe te lufta në Gaza, Rama theksoi se Shqipëria mbështet zgjidhjen me dy shtete, por argumentoi se zgjidhja nuk mund të vijë me Hamasin, pasi nuk është një lëvizje për rezistencë, por janë nazistët e shekullit të ri.
Ndërkohë, presidenti izraelit tha se populli shqiptar ishte një simbol nderi dhe kuraje me mbështetjen që tregoi ndaj hebrenjve. Ai tha se Kodi shqiptar i besës ndihet mes nesh, duke iu referuar ceremonisë që u mbajt për nderimin e kryeministrit Rama.
“Kodi shqiptar i besës, betimi i shenjtë i nderit, mbrojtjes dhe integritetit ndihet mjaft i pranishëm në këtë holl. Besa ka udhëhequr kombin shqiptar dhe ka mbajtur pishtarin e dritës në emër të të gjithë njerëzimit në orët e tij më të errëta, gjatë Holokaustit.Populli shqiptar ishte një simbol nderi dhe kuraje. Me kurajë ata iu dhanë strehë grave, burrave hebrenj, të cilët arratiseshin nga pjesë të tjera të Evropës dhe duke e bërë këtë, ndihmuan në mbrojtjen dhe ruajtjen e njerëzimit përballë krimeve më të mëdha midis qënieve njerëzore.”, u shpreh presidenti i izraelit.

















