Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
10 prill 2025
Kryeministri britanik, Keir Starmer pritet të vizitojë Shqipërinë përpara takimit të Komunitetit Politik Europian më 16 maj. Lajmin e bëri me dije kryeministri Edi Rama gjatë komunikimit në rubrikën online “Sy m’Sy” me komentuesit në Facebook.
“Të shohësh vizitat që bëhen sa e sa krerë shtetesh kanë ardhur për herë të parë. Pas një muaji do të vijë në vizitën e parë zyrtare, e ka kërkuar të vijë përpara samitit kryeministri britanik. Asnjëherë nuk ka ardhur një kryeministër britanik për një vizitë zyrtare, ka ardhur vetëm njëherë Tony Blair për të shkuar në Kukës, ishte vizitë bilaterale. Hera e parë që vjen një kryeministër britanik. Hera e parë që një president i Francës, do të vijë përsëri dhe ka pasur plot të tjerë që kanë ardhur për herë të parë”, tha Rama.
Sa i përket situatës në vend, kreu i qeverisë u ndal te fillimi zyrtarë i fushatës elektorale më 11 prill, ku nuk kurseu ironinë ndaj këshilltarit amerikan të PD, Chris LaCivita.
“Nuk po bëj asnjë koment sepse erdhën zgjedhjet e do ta shohësh kush do të zbresë e kush do të bjerë”, tha Rama.
Një koment Rama e kishte dhe për partitë e reja politike në garë.
“Mund të ishin gjërat më mirë, por kush është këtu që mund t’i bëjë gjërat më mirë? Bufi i kënetës apo moçalishtet e reja që bëjnë të njëjtat lloje zotimesh, të njëjtën gjuhë, të njëjtat metode, mllef e mllef. Nuk ka. E ke mundësinë të mos bëhesh qesharak”, tha Rama.
Rama foli sërish edhe për rritjen e pagave, duke thënë se pagat mesatare janë rritur dy herë, duke njoftuar se nga janari i vitit që vjen, minimalja do të shkojë në 500 euro.