Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
13 qershor 2025
Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës (SHDPFMK) ka reaguar publikisht duke ngritur shqetësime serioze lidhur me krizën e vazhdueshme në procesin e përcaktimit të marzhave të çmimeve me pakicë dhe shumicë për produktet medicinale në vend.
Në një deklaratë të shpërndarë për media, SHDPFMK thekson se kjo situatë ka nisur pothuajse dy vite më parë dhe se mungesa e funksionimit efektiv të Komisionit për Deklarimin e Çmimeve pranë Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) ka shkaktuar pasoja të rënda në tregun farmaceutik vendor.
Sipas shoqatës, anëtarët e saj kanë raportuar mungesa të theksuara të produkteve medicinale në treg, për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me banderola – një pasojë direkte e mospublikimit në kohë të vendimeve për çmimet e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Në reagimin e plotë të SHDPFMK thuhet:
“Në vazhdën e komunikimit dhe reagimeve të mëhershme lidhur me problematikën gati 2-vjeçare të mosfunksionalizimit të procesit dhe procedurave mbi përcaktimin e marzhave të çmimeve me pakicë dhe shumicë të produkteve medicinale pranë Komisionit për Deklarimin e Çmimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, pas ankesave të shumta që kemi pranuar nga anëtarët e SHDPFMK, mungesës së një numri të konsiderueshëm të produkteve medicinale në treg, pamundësisë së furnizimit të produkteve medicinale me banderola si rezultat i mospublikimit të vendimeve me çmimet e miratuara në kohë nga ana e MSH, pamundësisë së takimit zyrtar me Ministrin e Shëndetësisë Vitia për dy vite, zëvendësministrin Berisha apo instancat tjera relevante përkundër kërkesave dhe tentimeve të vazhdueshme, njoftojmë opinionin e gjerë, profesionistët shëndetësor, barnatoret dhe pacientët me anë të këtij reagimi publik përmes mediave tuaja si në vijim se:”
“Ekziston një numër i konsiderueshëm i çmimeve të produkteve medicinale të cilat komisioni (pa u bazuar në dispozitat ligjore dhe procedurat e kriteret e përcaktimit të çmimit) në shumicën e rasteve ka ulur çmimet në masë drastike, pavarësisht çmimit mesatar të vendeve referente të përcaktuara me ligjin për përcaktimin e çmimeve aq sa kompanive u pamundësohet furnizimi nga prodhuesit përkatës.”
Shoqata gjithashtu tërheq vërejtjen për gabime të shumta teknike dhe mungesë transparence në mënyrën e përcaktimit të çmimeve:
“Në shumë raste ka gabime teknike në mënyrën dhe formën e përcaktimit, madje duke u përmendur edhe diferenca prej 30% (pa bazë ligjore prej listës paraprake të MSH) për produkte dhe kompani të caktuara ku si rezultat ka akoma produkte të cilat kanë aplikuar për deklarim të çmimeve por që MSH nuk i ka publikuar akoma. Për më tepër, çmimi i MSH nuk ka bazë ligjore në shumë raste, sepse komisioni ka trajtuar njëjtë të gjitha format e çmimeve si CIP, si EX work, si WSP, etj.”
SHDPFMK bën thirrje për veprim urgjent nga institucionet përkatëse dhe shpreh gatishmërinë për bashkëpunim, me qëllim që të garantohet një treg farmaceutik funksional, i qëndrueshëm dhe në shërbim të pacientëve në Kosovë.