Kreu i ri i SPAK-ut, Klodian Braho, merr sot detyrën nga Altin Dumani

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

22 dhjetor 2025

Në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) zhvillohet këtë të hënë, në orën 10:00, ceremonia zyrtare e dorëzimit të detyrës nga Altin Dumani te drejtuesi i ri i institucionit, Klodian Braho.

Braho është zgjedhur në krye të SPAK-ut për një mandat trevjeçar, pas vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të marrë gjatë seancës së 11 dhjetorit. Ai siguroi shumicën e nevojshme të votave, duke u mbështetur nga shtatë anëtarë të KLP-së, ndërsa në garë për këtë post ishin gjithsej pesë kandidatë.

Në procesin e votimit, tre anëtarë të KLP-së mbështetën kandidaturën e Adnan Xholit, një votë shkoi për Elvin Gokajn, ndërsa Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë. Mandati i drejtuesit të SPAK-ut zgjat tre vjet dhe nuk lejon rizgjedhje.

Altin Dumani, i cili mori drejtimin e SPAK-ut pas Arben Krajës, drejtuesit të parë të këtij institucioni, përfundon mandatin e tij drejtues dhe do të vijojë punën si prokuror i SPAK-ut deri në përfundimin e mandatit të tij në vitin 2028.

Profili i drejtuesit të ri të SPAK-ut

Klodian Braho, 43 vjeç, është pjesë e sistemit të drejtësisë që prej vitit 2007 dhe konsiderohet një nga figurat kyçe të SPAK-ut. Ai është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës.

Karrierën e tij si prokuror e ka nisur në Prokurorinë e Beratit, ku ka shërbyer deri në vitin 2012. Më pas, Braho u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë edhe një periudhë si zëvendësdrejtues i këtij institucioni.

Në vitin 2015, ai u emërua prokuror në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u angazhua në hetimin e çështjeve me rëndësi të veçantë penale. Me krijimin e SPAK-ut, Braho u përfshi në strukturën e re si prokuror.

Aktualisht, ai drejton Seksionin e Korrupsionit dhe ka qenë përgjegjës për disa nga hetimet më të rëndësishme të viteve të fundit. Mes tyre përfshihen dosja e inceneratorit të Elbasanit, ku u lëshuan urdhër-arreste për persona të përfshirë në skema korruptive, si dhe ndarja e hetimit ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Braho ka drejtuar gjithashtu dosjen “5D”, ku u dërguan në gjyq ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, si dhe është i përfshirë në hetimet e dosjes “Toyota Auris”, e cila vijon të jetë në proces. Ai është gjithashtu pjesë e grupit të prokurorëve që ngritën akuzën ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu për tragjedinë e Gërdecit.

Scroll to Top