Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
12 maj 2025
Partia Socialiste përmes një shkrese zyrtare i është drejtuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke i kërkuar që të shfuqizojë vendimin për lënien mënjanë të fletëve të votimit të Greqisë për Korçën, dhe vijimin me numërimin e fletëve të tjerë për këtë qark.
Sipas PS, ky akt cilësohet absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kundërshtim me ligjin, bazuar në parashikimin e nenit 124/1, pika 2, që sipas tyre ndikon në rezultatin e zgjedhjeve për Kuvend të datës 11 Maj 2025.
“Komisioneri nuk mori masat e duhura dhe nuk ushtroi kompetencat e tij për ta zgjidhur këtë situatë, por përkundrazi, vendosi që vullneti i 53.000 shtetasve shqiptarë që jetojnë në shtetin Grek, të konsiderohet me “ves”, duke paragjykuar dhe duke mos i dhënë vlerën e duhur votës së shtetasve shqiptarë, duke e trajtuar atë në mënyrë të pabarabartë me votat që vijnë nga shtetet e tjera ku jetojnë shtetas shqiptarë”, thotë PS.
KQZ e mori këtë vendim pas bllokimit të procesit të numërimit për këtë qark nga PD, të cilët kërkuan që votat e mbërritura nga Greqia për qarkun e Korçës, nuk duhet të numërohen pasi pretendojnë se ka pasur anomali.
Por PS thotë se nga pikëpamja formale, ky vendim është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e Kodit Zgjedhor të cilat përcaktojnë kompetencat e Komisionerit.
“Komisioneri e referon vendimmarrjen e tij në nenin 19, pika 1, shkronja n dhe pika 2. Në analizë të këtyre dispozitave neni 19, pika 1, shkronja n parashikon: Komisioneri ushtron në emër të KQZ- së kompetencat që i ngarkohen asaj me ligje të veçanta, si dhe çdo kompetencë që ky ligj nuk ia njeh shprehimisht Rregullatorit ose KAS-it.
Në analizë të kësaj dispozite rezulton se ky akt ka karakter normativ dhe si i tillë, është kompetencë e Komisionit Rregullator, sipas parashikimit të nenit 20 ‘Kompetencat e Rregullatorit. Ndodhur në këto kushte, nuk jemi në zbatim të nenin 19, pika 1, shkronja n kur kompetenca nuk i njihet shprehimisht Rregullatorit ose Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, cka do e detyronte Komisionerin në këtë rast të ushtronte kompetencat në emër të KQZ.

















