Kosova për herë të parë nikoqire e Konferencës së Shoqatës Evropiane të Kartës Rinore

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

25 qershor 2025

Kryeministri Kurti tha se është nder që kjo konferencë po mbahet për herë të parë në shtetin Kosovë ku janë mbledhur mbi 100 pjesëmarrës nga 37 shtete.

Nën organizmin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe në bashkëpunim me Shoqatën Evropiane të Kartës Rinore (EYCA), për herë të parë në Kosovë, po mbahet Konferenca Ndërkombëtare e Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini (EYCA), raporton Anadolu.

Në ditën e parë të kësaj konference dyditore dhe në ceremoninë hapëse morën pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, presidenti i EYCA-së, Miguel Perestrello dhe të ftuar të tjerë.

Përmes kësaj karte, të rinjtë mund të përfitojnë zbritje në transport, arsim, kulturë, sport, akomodim dhe shumë shërbime të tjera, në mbi 35 vende evropiane.

Kryeministri Kurti në fjalën e tij mirëseardhëse tha se është nder që kjo konferencë po mbahet për herë të parë në shtetin Kosovë ku janë mbledhur mbi 100 pjesëmarrës nga 37 shtete.

“Karta Evropiane e të Rinjve paraqet një nga veprimet konkrete në politikën tonë të re për të rinjtë. Më 9 gusht 2024, hyri në fuqi Ligji i ri për Rininë, duke zëvendësuar ligjin e mëparshëm të vitit 2009 dhe ky ligj i ri i vendos të rinjtë në zemër të prioriteteve të shtetit tonë dhe krijon një kornizë ndërinstitucionale për përfshirjen e të rinjve, veçanërisht në vendimmarrje, si dhe për përmirësimin e mirëqenies së të rinjve në vendin tonë”, u shpreh Kurti.

Ai theksoi se përmes kësaj konference, po forcohet bashkëpunimi midis institucioneve, organizatave dhe aktorëve që kanë ndikim në jetën e të rinjve, duke diskutuar shumë ide të reja, shkëmbyer praktikat më të mira, dhe frymëzuar njëri tjetrin për hartimin e politikave më të drejta edhe më të ndjeshme ndaj të rinjve.

Presidenti i Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini, Miguel Perestrello tha se në Kartën Evropiane për Rini janë të përfshirë afërsisht 9 milionë të rinj që përfitojnë afërisht 70 mijë zbritje në marka të mëdha në gjithë Evropën.

“Nëse i bashkojmë të gjitha markat e mëdha që ofrojnë zbritje, arrijmë në 70.000 zbritje që i përmendi edhe kryeministri, të cilat mund të përfitohen në të gjithë Evropën. Këto shifra janë të rëndësishme, por ajo që përfaqësojnë është edhe më e fuqishme mbështetje reale dhe konkrete për të rinjtë në jetën e tyre të përditshme”, tha Perestrello.

Sipas tij, që nga viti i kaluar është arritur sukses i rëndësishëm në fusha si qeverisja, regjistrimi i anëtarëve dhe rritja e numrit të tyre, paneli rinor dhe projekte të tjera rinore, si dhe në marrëdhëniet me organizatat evropiane si Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian dhe me rrjetin tonë të partnerëve rinorë, ERYICA dhe Eurodesk.

Kosova u bë zyrtarisht anëtare në EYCA në dhjetor të vitit 2023. Në gjashtë muajt e parë të anëtarësimit të Kosovës në EYCA, gati 8 mijë të rinj janë regjistruar si anëtarë të programit dhe 18 biznese janë përfshirë si partnere të programit.

Scroll to Top