Kos: Shqipëria ka gjasa reale të bëhet anëtare e BE-së deri më 2030

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

27 maj 2025

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, në një intervistë për televizionin gjerman WELT TV, theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është aktualisht një ndër prioritetet kryesore të Komisionit Evropian.

Duke theksuar mbështetjen e BE-së për anëtarësimin e Ukrainës, ajo u pyet gjithashtu për mundësinë e përshpejtimit të procesit të anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kos u shpreh se Shqipëria ka një mundësi reale për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe të bëhet pjesë e BE-së deri në vitin 2030.

“Kemi shembuj si Mali i Zi dhe Shqipëria që po ecin mirë përpara. Po ndërmarrin reformat e nevojshme dhe e shohin procesin e zgjerimit si një mundësi për transformimin e ekonomisë dhe zhvillimin e vendit në tërësi. Nëse progresi vazhdon me këtë ritëm, mund të mbyllim negociatat me Malin e Zi deri në fund të vitit 2026 dhe me Shqipërinë një vit më pas, në 2027. Kjo i hap rrugën anëtarësimit të tyre deri në vitin 2030”, u shpreh Kos.

Ajo shtoi se e kupton zhgënjimin e disa vendeve të tjera të rajonit, duke theksuar se edhe vetë vjen nga Sllovenia, një vend i Ballkanit Perëndimor që tashmë është anëtar i BE-së.

“Vetëm për të ilustruar: nëse Ukraina do të duhej të priste sa Maqedonia e Veriut, atëherë negociatat me Ukrainën do të fillonin në vitin 2045 – dhe kjo është e papranueshme. Kjo logjikë vlen edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ato duhet të ndërmarrin reformat, por është e rëndësishme të kuptohet edhe një fakt tjetër: për vite me radhë, zgjerimi nuk ka qenë një përparësi për Komisionin. Tani situata ka ndryshuar, dhe zgjerimi është rikthyer si një objektiv kyç. Edhe shtetet anëtare e mbështesin këtë”, theksoi ajo.

Kos gjithashtu përshëndeti propozimin gjermano-slloven për ndryshimin e rregullave të vendimmarrjes në BE, duke e bërë të mundur që vendimet për anëtarësimin e vendeve të reja të mos varen më nga unanimiteti.

“Ka disa alternativa përpara. Vendimet përfundimtare do t’i marrë Këshilli Evropian. Por Gjermania dhe Sllovenia kanë propozuar që vendimet të merren me shumicë të kualifikuar, për të thjeshtuar procesin. Tani u takon shteteve anëtare të vendosin. Megjithatë, është thelbësore që t’i qëndrojmë fjalës sonë ndaj vendeve kandidate. Ato po përmbushin detyrimet e tyre, dhe ne duhet të japim sinjale të qarta se e kemi seriozisht me pranimin e tyre”, përfundoi ajo.

Scroll to Top