Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
30 maj 2025
Vendimi i GJKKO për tenderin e palestrës: Dënime të lehta për zyrtarët e përfshirë, SPAK në vështirësi me çmontimin e skemës së korrupsionit në Bashkinë e Tiranës.
Ndërhyrja e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për zbardhjen e aferave korruptive në Bashkinë e Tiranës rrezikon të zbehet në efekt dhe të përfundojë si një “flluskë sapuni”, pasi drejtësia duket se nuk arriti t’i çojë deri në fund akuzat për shkeljet e rënda të konstatuara në tenderin për palestrën e mundjes së klubit sportiv “Tirana”.
Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e prokurorëve për masë sigurie me burg për ish-drejtoreshën e klubit dhe tre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, duke u dhënë atyre dënime minimale me punë në komunitet. Një vendim që bie në kontrast të fortë me provat e mbledhura nga SPAK, të cilat tregonin për një skemë të mirëorganizuar korrupsioni dhe manipulimi të tenderave në favor të kompanisë “5D”.
Sipas dosjes së hetimit, procedurat e tenderit ishin qepur me kujdes për të favorizuar kompaninë “5D”, e cila drejtohej në sfond nga persona të lidhur ngushtë me rrethin e kryebashkiakut Erion Veliaj – konkretisht Maringlen Qato, Taulant Tusha dhe Redi Molla. Dokumentet tregojnë se drejtuesit e klubit dhe anëtarët e komisionit kishin eliminuar në mënyrë të qëllimshme çdo kompani tjetër që konkurronte në garë, në një proces ku ofertat e vërteta nuk kishin asnjë peshë.
Njësoj si në aferën e inceneratorëve, edhe në këtë rast procedurat nuk diktoheshin nga shteti, por nga tryezat private të kompanisë “5D”, me administrator Nestor Muhametllarin, i cili kishte rol kyç në hartimin e specifikimeve teknike dhe orientimin e vendimmarrjes.
Ky zhvillim hedh hije dyshimi mbi efektivitetin e hetimeve dhe ngrit pyetje të mëdha për ndëshkimin real të korrupsionit në nivelet e larta të pushtetit vendor.
Skandal me tenderët e Bashkisë: Manipulime për palestrën e mundjes në favor të kompanisë “5D”
Një tjetër skandal është zbuluar në lidhje me procedurat e prokurimeve publike, këtë herë për tenderin e rikonstruksionit të palestrës së mundjes së sportklub “Tirana”, institucion në varësi të Bashkisë. Dokumentet hetimore zbulojnë se kompania “5D” ka përfituar në mënyrë të parregullt tenderin, përmes një skeme të mirëorganizuar nga brenda administratës.
Sipas dosjes së hetimit, Nestor Muhametllari, përfaqësues i “5D”, kishte krijuar lidhje të drejtpërdrejta me Deborah Keçin, zyrtare e përfshirë në përgatitjen e procedurave të tenderit. Komunikimet e zbuluara nga celularët e sekuestruar tregojnë se Keçi i dërgonte paraprakisht të gjithë dokumentacionin Muhametllarit, madje e pajiste edhe me kredencialet për akses në sistemin e tenderimit, duke i dhënë të dhëna të një anëtari të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Pasi i kishin eliminuar konkurrentët në mënyrë të qëllimshme, kompania “5D” shpallej fituese. Madje, në bashkëpunim me Muhametllarin, përgatiteshin edhe përgjigjet ndaj ankesave të kompanive të skualifikuara, duke e thelluar më tej keqpërdorimin e funksionit publik.
Ky rast ngre sërish alarmin për mënyrën se si administrohen fondet publike dhe tenderët në institucionet vendore, si dhe për nevojën urgjente për transparencë dhe përgjegjësi ligjore.