Kongresisti amerikan i dorëzon Kamberit projektligjin për diskriminimin ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

05 shkurt 2026

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili po qëndron për vizitë në Uashington, ka bërë të ditur se është takuar me kongresistin amerikan Keith Self.

Kamberi njoftoi se gjatë këtij takimi, kongresisti Self i dorëzoi projektligjin që për herë të parë adreson zyrtarisht në Kongresin e Shteteve të Bashkuara diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi.

Sipas Kamberit, ky ligj nuk ka karakter simbolik, por përfaqëson një instrument institucional të SHBA-së për të vlerësuar, dokumentuar dhe bërë publik pasivizimin administrativ, përjashtimin nga institucionet publike, shtypjen e përdorimit të gjuhës shqipe, diskriminimin në arsim si dhe margjinalizimin ekonomik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Ai theksoi se me këtë hap, kjo padrejtësi nuk mbetet më në periferi të diplomacisë ndërkombëtare, por bëhet pjesë e agjendës qendrore të politikës amerikane, jo si formalitet, por si obligim moral.

Në fund, Kamberi shprehu mirënjohjen ndaj kongresistit Keith Self në emër të të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke vlerësuar qëndrimin e tij parimor në një kohë kur, siç u shpreh ai, shumë të tjerë zgjedhin heshtjen për shkak të interesave.

Scroll to Top